Një tjetër “shtëpi bari” është zbuluar në Tiranë. Këtë herë efektivët e komisariatit numër 4 kanë zbuluar ambientin e përshtatur në një apartament në zonën e Qesarakës në kryeqytet.
Burime nga policia për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë të ditur se në pranga është vënë një 31-vjeçar nga Lushnja. Ky i fundit e kishte marrë me qira banesën në katin e katërt dhe më pas e ka kthyer në ambient për kultivimin e kanabisit, duke përdorur energjinë elektrike.
Për t’i shpëtuar policisë, i riu është hedhur nga kati i katërt, por më pas u arrestua. Mësohet se 31-vjeçari ishte hedhur nëpërmjet tubave jashtë pallatit dhe ishte futur ne një hotel aty pranë. Megjithatë arratia nuk zgjati shumë, pasi u prangos nga policia.
Sakaq, ambienti i përshtatur për kultivimin e lëndës narkotike u zbulua nga policia në bashkëpunim me OSHEE.