Numërimi i votave për pesë bashkitë e mbetura vijon ende.
Në Shkodër, Rrogozhinë, Durrë, Lushnjë dhe Dibër po numërohen kutitë e fundit.
Partia Socialiste duket se ka konfirmuar fitoren e saj në 5 bashki, përjashtuar Shkodrën.
Shkodër
153 nga 250 qendra votimi në total, ku kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Bardh Spahia kryeson me 12,885 vota, 43.6%. E dyta Majlinda Angoni me 11,691 vota, ose 39.6%. Xhemal Bushati i Lulzim Bashës 4944 vota, gati 16.7% të votave. Vihet re në Shkodër një rritje me mbi 16% të Partisë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike ka rënë me gati 30%, ndërsa LSI dhe Berisha kanë një rritje me gati 33%. Duket qartë që votat e Partisë Demokratike kanë kaluar te Berisha.
Rrogozhinë
Në Bashkinë e Rrogozhinës janë numëruar të gjitha kutitë e votimit dhe Edison Memolla i Partisë Socialiste tashmë edhe zyrtarisht do të jetë kryetari i ri i Bashkisë.
Memolla ka marrë besimin e 5401 qytetarëve të Rrogozhinës, ose 60.3% duke siguruar një fitore bindësi.
Në vend të dytë qëndron kandidati i Lulzim Bashës, Ferdinand Saraçi me 1959 vota, dhe i treti Hekuran Xhani i ‘Shtëpisë së Lirisë’ së Sali Berishës me 1594 vota. Kjo është e vetmja bashki ku Lulzim Basha e ka mundur Sali Berishën.
Lushnjë
Po ashtu në Lushnjë deri më tani kryeson PS-ja me Eriselda Sefën me 11 mijë e 152 vota.
Ajo ndiqet nga kandidati i koalicionit të vetëm në këto zgjedhje, Shtëpia e Lirisë, Elton Bano, me 5 mijë e 941 vota.
I fundit renditet sërish kandidati i PD-së, Indrit Sefa.
Dibër
Në Dibër vijon procesi i numërimit dhe ka dalë rezultati i 38 kutive nga 101 gjithsej. Tashmë mund të themi se kandidati i Partisë Socialiste do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë Dibër pas me më shumë se 35% të kutive të numëruara ai kryeson bindshëm me 6230 vota ose 64%. I dyti është kandidati i Berishës me 19.4% ose 1986 vota. Dhe me një rënie më shumë se dramatike me 31% krahasuar me zgjedhjet e kaluara të vitit 2021 PD e treta me kandidatin e saj Luan Haka që ka marrë 1581 vota. Partia Socialiste ka shënuar një rritje me mbi 21%.
Durrës
Në Bashkinë Durrës janë numëruar 164 kuti nga 337 qendra votimi gjithsej. Emirjana Sako e Partisë Socialiste kryeson bindshëm me 58% të votave gjithsej. Ajo ka marrë deri tani 18.822 vota. Krahasuar me zgjedhjet e vetëm një viti më parë Partia Socialiste ka përmirësuar rezultatin e saj duke u rritur me gati 8%. të votave.
Ardian Muka i ‘Shtëpisë së Lirisë’ renditet i dytë me 9171 vota, ose 28% të votave. Ndërsa i treti kandidati i Lulzim Bashës, Luan Hoti me vetëm 4.496 vota ose rreth 14%.
Vorë
Partia Socialiste ka korrur fitoren e parë në zgjedhjet lokale të pjesshme të 6 marsit. Ajo ka rrëmbyer Vorën me kandidatin Blerim Shera.
Në Vorë, Shera kryesoi me 7530 vota, duke lënë pas kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Lulzim Vrana me 2589 vota dhe atë të Partisë Demokratike, Ymer Marku që mori vetëm 687 vota