Sali Berisha ka prezantuar sot në Rrogozhinë, kandidatin e Shtëpisë së Lirisë për bashkinë në zgjedhjet e 6 Marsit, Hekuran Xhani.
Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë fushatë, për të dhënë shpresën e një fitoreje të thellë të ardhshme, të triumfit të opozitës së vërtetë shqiptare dhe votës së lirë, sikurse u shpreh.
“Këto zgjedhje në 6 bashki, vërtet janë zgjedhje vendore, vërtet zhvillohen vetëm në një pjesë të bashkive të vendit, por rëndësia e tyre është kombëtare, e jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Duke akuzuar qeverinë se ka zhytur qytetarët në varfëri, Berisha tha se shqiptarët po detyrohen të emigrojnë.
Përballë kësaj situate, ai tha se ministrat dhe qeveria abuzojnë dhe shpenzojnë paratë e shqiptarëve.
“Ministrat që ulen dhe porosisin 1 mijë dollarë biftekun me paratë tuaja. Kreu i meduzës, Kryeministri që me paratë tuaja shpenzon 15 mijë euro në orë fluturim me avion në dispozicion. Ministre tjetër që fluturon Tiranë-Dibër për takime partiake me helikopter”.
Ndër të tjera, Berisha sulmoi edhe nismën e Ballkanit të Hapur, kur tha se sjell falimentim për fermerët e shqiptarë.
“Përveç kësaj Edi Rama firmos Ballkanin e Hapur. Çfarë është Ballkani i hapur për fermerët e Rrogozhinës? Falimentim, sepse ju nuk mund të mateni me fermerët e një vendi që marrin subvencion për çdo kokë lope, për çdo dele dhe dhi që rrisin”, tha Berisha