Ka mjaftuar vetëm një muaj që “Omicron”-i të shndërrohet nga një variant i ri, në variant dominues në vend.
Aktualisht, jemi në situatën ku 95 për qind e personave të infektuar janë me “Omicron”, duke dobësuar kështu pozitat e variantit “Delta”.
Kjo dëshmon dhe një herë tjetër nivelin e lartë të transmetueshmërisë së këtij varianti që është shoqëruar me shifra rekord infektimesh. Në fillim të kësaj jave, numri i rasteve ditore arriti pikun, mbi 2800 persona të konfirmuar pozitivë.
Ndërkohë mjeku infeksionit Pëllumb Pipero duke folur për Dita Jonë paralajmëroi se fundi i kësaj pandemie do të jetë nga mesi i verës, por ai këshillon qytetarët që të vaksinohen për ta përafruar atë. Sa i takon periudhës së rikuperimit të të prekurve me Omicron, ai thekson se për të vaksinuarit duhen 3-5 ditë, kurse për të pavaksinuarit një javë.
“Ne e shohim si fillimin e fundit të kësaj pandemie për të dhënë imunizim natyral të shpejtë.
Por vaksinimi është zgjidhje për fundin e shpejtë të kësaj pandemie. Ne nuk presim fundin e pandemisë nga një imunitet natyral, por duke bashkuar të gjitha forcat e masat që nga vaksinimi.
Ata që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen sa më shpejt. Omicron është një mundësi për të përfituar imunitet natyral te skepticistët. Unë rekomandoj e inkurajoj qytetarët për mbrojtje më të sigurt që është vaksinimi.
Omciron është i lehtë, por jo të gjithë kanë fatin ta kalojnë lehtë”, shpjegoi Pipero