Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka pranuar sot kërkesën për marrëveshje të gjyqtares së Elbasanit Enkelejda Kapedani, e cila pak muaj më parë publikoi disa video në median sociale TikTok.
Në një njoftim për mediat ILD bën me dije se Kapedani ka pranuar shkeljen disiplinore që ka kryer me publikimin e videove në TikTok dhe kundër saj do të ketë një mas më të butë.
“Magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj.
Magjistratja ka depozituar me shkrim dorëheqjen e saj nga pozicioni i Zëvendëskryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si shenjë reflektimi ndaj shkeljes disiplinore të kryer nga ana e saj.
Gjyqtarja ka pohuar se në çastet e para është gjendur përballë një presioni shumë të madh psikologjik, familjar, mediatik dhe institucional, të cilat në tërësinë e tyre ndikuan edhe aftësinë e saj për të përceptuar realitetin dhe mënyrën e reagimit ndaj tij.
Magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private.
Magjistratja ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit të nevojshëm”, janë këto pikat e marrëveshjes mes inspektoratit dhe Kapedanit.
Tashmë gjyqtarja është e pezulluar për një periudhë 6 mujore dhe nuk mund të kryejë detyrën e saj si gjyqtare./tvklan.al