Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e konsideron Shqipërinë partneren më të rëndësishme në Ballkan. Gjatë një shkrimi të publikuar në median turke AND, në prag të vizitës që do të zhvillojë në Shqipëri, kreu i shtetit turk nënvizon se Shqipëria përbën qendrën e perspektivës së marrëdhënieve miqësore që Turqia do të ndërtojë në gjithë rajonin e Ballkanit.
“Gjatë dy dekadave të fundit Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe miqësore me vendet e Ballkanit. Shqipëria është qendra e kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë si mike dhe si një aleat natyror. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin”.
Më tej ai thekson se një impuls pozitiv në rritjen e bashkëpunimi mes dy vendeve dha vizita e kryeministrit Rama në Janarin e vitit të shkuar.
“Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në 6 janar 2021 kanë qenë një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i kësaj vizite, midis Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, e cila ka qenë në rendin e ditës prej vitesh, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik”.
Ndërsa evidenton nivelet e shkëmbimeve tregtare, por edhe bashkëpunimet në fushën e shëndetësisë, presidenti turk nënvizon se ka ende potencial që ato të zhvillohen më tej.
“Aktualisht, vëllimi i tregtisë dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë është rreth 700 milionë dollarë. Synimi ynë kryesor është ta zgjerojmë këtë vëllim në rreth 1 miliard dollarë sa më shpejt të jetë e mundur. Duke marrë parasysh të gjitha këto, mund të them se marrëdhëniet miqësore midis Turqisë dhe Shqipërisë janë në periudhën e tyre më produktive në fushën politike, ekonomike dhe sociale. Duke pasur parasysh se Turqia është partneri strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, ekzistojnë potenciale të shumta që të dy vendet të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre”.
Presidenti turk mbërrin të hënën Shqipërinë, ku do të marrë pjesë edhe në përurimin 524 apartamenteve të reja të ndërtuara në Kurbin me kontribut të qeverisë turke.
Axhenda e tij do të vazhdojë me një takim me kryeministrin Edi Rama e cila do të pasohet me nënshkrimin e 7 marrëveshjeve të tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ata pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për mediat, ndërsa rreth orës 17:00, presidenti turk pritet t’i drejtohet edhe Kuvendit të Shqipërisë me një fjalë përshëndetëse.