Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka vlerësuar sot punën e bërë nga SPAK dhe BKH, duke thënë se ata janë kthyer në heronjtë e fëmijëve dhe tmerri i kriminelëve.
Gjithashtu ajo shprehu mbështetjen e SHBA, ambasadorja tha se me rëndësi është se kur të rrëzohemi të ringrihemi sërish.
“Mendoj që në këto dy vite kemi parë një veprim që ngrihet mbi një veprim tjetër. Gjithë vendi është mahnitur nga ajo që ka ndodhur sepse ka qenë në pritje të këtij çasti. SHBA përgëzon punën tuaj. Është domethënës që SPAK dhe BKH janë këtu sepse vetëm së bashku mund të merrni përsipër hetimin e atyre që dëmtojnë të tjerët për të pasuruar veten. Ky bashkëpunim e bën SPAK të fuqishëm. Ju nxis të punoni bashkë me njëri-tjetrin që prokurorët dhe hetuesit të punojnë sup më sup. 2021 ka qenë pikë kthese kundër krimit të organizuar. BKH hap një kapitull të ri të institucioneve të pavarura. Vitin e ardhshëm do shohim një klasë tjetër që do ju bashkohet. Ne do vazhdojmë të bëjmë përpara hap pas hapi. Kur të biem do ngrihemi sërish. Pika kyçe është të ecësh përpara pavarësisht se çfarë thotë të tjerë. SHBA ju mbështesin në çdo mënyrë. Në këtë përvjetor duhet të jeni krenarë se tashmë jeni duke u bërë heronjtë e fëmijëve dhe tmerri i kriminelëve. Atyre që kishin menduar se mund të arratiseshin apo se kanë një mik, e nuk do jepnin llogari. Atyre ditëve po u vjen fundi. Jeni tmerri i kriminelëve dhe shpresa e fëmijëve”, tha Kim.