40 fshatra në zonat e thella të Korçës vazhdojnë të kenë mungesë të energjisë elektrike, për të pestën ditë.
Edhe pse nga distributori i energjisë elektrike OSHEE thonë se po vijon puna në terren, më problematike paraqitet situata në njësitë administrative të Bashkisë Maliq, ku sipas të dhënave janë 35 fshatra që sot kanë hyrë në ditën e katërt pa energji elektrike në dy njësi, Gorë dhe Moglicë.
Ndërkohë edhe në njësinë Dardhas e Trebinjë të Bashkisë Pogradec janë 5 fshatra pa energji elektrike të cilët furnizohen nga linja e dëmtuar e Maliqit.
Të gjitha këto pasoja kanë ardhur si shkak i stuhisë së borës 5 ditë më parë e cila ka rrëzuar me dhjetëra shtylla dhe ka këputur përcjellësit.
OSHEE thotë se në të gjitha zonat në bashkëpunim me njësitë vendore janë të vendosur punonjësit por situate është mjaft e rënduar pasi dëmet e shkaktuara janë të mëdha. Për më tepër, kushtet atmosferike dhe lartësia e dëborës e bëjnë shumë të vështirë ndërhyrjen e shpejtë.
Një ditë më parë prefekti i Korcës Dhori Spirollari tha se situata ka qenë jashtë parashikimeve dhe se me zgjidhjen e saj do të bëhet një analizë e thellë për të gjetur zgjidhjet e duhura, kjo pasi është vetëm fillimi i dimrit.
“Është një problem që po analizohet nga OSSHE, nga ekspertët. Situata është e vështirë, do të dalim ne përfundim pse ka ardhur kjo, sigurisht ka rrjete të amortizuara që kanë qenë dhe vitin e kaluar e s’kemi pasur këtë situatë të energjisë. Do e thonë ekspertët çfarë ka ndodhur dhe do organizohen masa për investim e ne zonat më të thella atje ku mungon tashmë”, tha Dhori Spirollari ditën e djeshme.
Lidhur me qarkullimin rrugor, zyrtarët bëjnë të ditur se akset nacionale janë të kalueshme, ndërkohë po punohet për hapjen e rrugës në zonat e thella./EuronewsAlbania