Më shumë policë në ‘njollat e zeza’, gati masat për të përballuar dimrin në rrugë

Më tepër policë do të vendosen në njollat e zeza të qarkut Korçë, ka deklaruar shefi i ri i qarkullimit Lefter Hysa. Komandanti i policisë rrugore shprehet se në këto pika të rrezikshme do të fokusohet puna më e lartë e këtij sektori policor.

Njollat e zeza janë pika me rrezikshmëri të lartë për aksidente në rrugë.

“Në qarkun e Korçës janë të evidentuara disa njolla të zeza që ne i quajmë pika me risk të lartë, me qëllim që aty të përqendrohet edhe shërbimi dhe dinamika e përgjithshme, aty të fokusohet fuqia parandaluese dhe aty është raporti midis goditjes dhe ndëshkimit për mos respektuesit e ligjit”, tha Lefter Hysa, shef i sektorit të Policisë Rrugore në Korçë.

Punë e vështirë për policinë do të jetë dhe normalizimi i qarkullimit rrugor në kohën e dimrit, pasi dihet që qarku juglindor përfshihet nga temperaturat e ulëta e aksidentet rrugore janë të shumta.

“Ne kemi marrë masat tona që në bashkëpunim me bashkitë dhe autoritetin rrugor të vëmë në dispozicion të gjithë nënkontraktrorët për të mbajtur në gatishmëri pjesën e makinerive, kripen, burimet njerëzor që ne rast te përshkallëzimit të motit të jenë në vijën e parë dhe të bëjnë të mundur hapjen e rrugëve dhe parandalimin e ngjarjeve”, tha z. Hysa.

Deklaratat u dhanë gjatë aktivitetit ndërgjegjësues të mbajtur me disa nxënës të shkollës “Pandeli Cale” mbi sigurinë rrugore.

Të Fundit