Ish-zëvendëskryeministri, Erion Braçe, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, është shprehur se i vjen turp që është pjesë e Kuvendit, ku goditet bujqësia dhe mban në fuqi favorizimet për birrën.
“Dua të gjitha rekomandimet e FMN për të gjitha përjashtimet, dhe dua të di kriterin që keni zbatuar ju për të selektuar përjashtimet që duhet të hiqen që nga ky vit, vitin tjetër e në vijim. Kush ka qenë kriteri, sepse të godasësh një sektor siç është bujqësia, ndërkohë që shumë më tepër para, sepse e thash dje dhe vijoj ta them që më vjen turp që në këtë Kuvend, sa kohë kam i vetmi diskutim që bëhet, shtyhet deri në një farë vendi dhe më pas tërhiqet është birra, birra, që turpërohen deputetët në sallën e Kuvendit sa herë ju duhet që të ulin kokën dhe të ngrenë dorën dhe të mbajmë në fuqi atë favor që kemi dhe më shumë para sesa tek skema e TVSH-së e imputeve bujqësore a atje tek birra. Dhe meqë e kam parë dhe e kam lexuar që është në listën e FMN që të hiqet ai lloj favori që bëhet te birra, dua të di cili ka qenë kriteri që keni zbatuar?”-ka thënë Braçe.
Më pas ka ardhur edhe ndërhyrja e Spahos.
Spaho: Po ju e dini…
Braçe: Pse ndërhyni, ca duhet të bëj unë ta mbyll, po mirë mo po e mbyll.
Spaho: Thoni arsyen e vërtetë mos bëni sikur nuk e dini, duhet të thoni nuk bëhet për këtë arsye
Braçe: Më vjen turp që jam në Kuvend dhe nuk kemi miratuar heqjen e favorizimit për birrën.
Braçe ka kërkuar sqarim nga Ministrja e Financave edhe për vendosjen e taksës 65 lekë/ litër për naftën e jahteve, ku tha se ato do të paguajnë vetëm atë taksë apo si gjithë të tjerët.
Ndërkohë që në Komisionin e Ekonomisë, ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi paketën fiskale të vitit 2022, dhe ndryshimi i taksës së akcizës për disa produkte. Ibrahimaj tha se paketa fiskale për 2022 synon të rrisë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit në masën 5,2 miliardë lekë. Sipas saj paketa parashikon reduktim të TVSH-së për imputet bujqësore, duke shtuar se do të ketë një garanci 1 miliard lekë për fermerët.