Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e dielë me një vide nga rruga e re e Thethit. Kreu i qeverisë thotë se ajo ka qenë një kërkesë e banorëve të zonës. Megjithatë përveç kësaj edhe një nevojë e vjetër për turizmin malor që përfaqëson Thethi.
“Mirëmëngjes, dhe me rrugën e re të Thethit, një kërkesë e kahershme e banorëve punëtorë, po edhe një nevojë e vjetër tanimë e përmbushur për atë shembëlltyrë të bukur të turizmit malor, ngritur në vite me mendjen e artë e me duart e palodhura të banorëve të zonës, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.
Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga plani sektorial i turizmit për rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.
Projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës ka 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë./tvklan.al