Papa Françesku u bëri thirrje të dielën qeverive të vendeve të ndryshme që të mos i kthejnë emigrantët në vende të pasigurta si Libia, ku shumë prej tyre kanë rënë pre e torturave çnjerëzore, njësoj si në kampet e përqendrimit.
Apeli i atit të shenjtë në meshën e së dielës erdhi teksa liderët evropianë po përpiqen të tejkalojnë dallimet e tyre mbi menaxhimin e emigrantëve, një çështje kjo mjaft e ndjeshme për grupet nacionaliste dhe populiste në mbarë BE-në.
“Të dashur vëllezër dhe motra, shpreh afërsinë time me mijëra emigrantët, refugjatët dhe njerëzit e tjerë që kanë nevojë për mbrojtje në Libi. Nuk ju harroj! Dëgjoj të qarat tuaja dhe lutem për ju. Shumë nga këta njerëz janë subjekt i një dhune çnjerëzore. Edhe njëherë i kërkoj komunitetit ndërkombëtar të gjejë zgjidhje konkrete dhe afatgjata për të menaxhuar flukset e emigrantëve nga Libia dhe gjithë Mesdheu”, u shpreh Papa.
Këtë muaj, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut kërkoi një hetim mbi atë që e quajti “përdorim të tepruar dhe të panevojshëm të forcës” nga forcat libiane të sigurisë, të cilat për të ndaluar emigrantët afrikanë kanë qëlluar për vdekje disa prej tyre.
BE ka përforcuar rregullat për azilin dhe kufijtë e tij të jashtëm që kur më shumë se 1 milion refugjatë dhe emigrantë arritën Evropën përmes detit Mesdhe 6 vjet më parë dhe nënshkruan marrëveshje me vende si Turqia dhe Libia që njerëzit të qëndrojnë në vende të tjera përgjatë rrugës së tyre.