Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, prezanton drejtuesit e rinj të strukturave vendore.
Gjatë prezantimit të tyre, Drejtori i Përgjithshëm, duke vlerësuar punën e mirë të bërë deri tani, u ka kërkuar drejtuesve të rinj të strukturave vendore, angazhim e përkushtim maksimal për parandalimin dhe goditjen e krimit, të kultivimit të kanabisit deri në zhdukje, parandalimin e krimeve mjedisore dhe ndotjes akustike, parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve dhe ndjekjen e tyre, me qëllim zgjidhjen ligjore, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera përgjegjëse, bashkëpunim më të mirë me institucionet arsimore, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të qetë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Drejtor Nano, gjatë prezantimeve, u ka bërë qartë drejtuesve të rinj se janë në provë dhe se secili prej tyre do të vlerësohet bazuar në meritokraci dhe integritet.
Nano ka theksuar se vlerësimi dhe perceptimi i qytetarëve për shërbimin e ofruar nga shërbimet policore, si dhe për rezultatet e arritura në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët do të jenë primare për vlerësimin e ecurisë së drejtuesve në detyrë.
Ndërkohë, në vijim të lëvizjeve të prezantuara ditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur emërimin në detyrë të disa drejtuesve të tjerë, të cilët deri dje mbanin detyra drejtuese në strukturat vendore, konkretisht:
1. Drejtues Krenar Muço emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Migracionit, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
2. Drejtues Ferdinand Mara emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Analizës dhe Informacionit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
3. Kryekomisar Artur Selimaj emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.
4. Drejtues Albert Nushi emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.
5. Kryekomisar Ilir Dedja emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
6. Kryekomisar Lorenc Meta emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.