“Çajupi”, sherri mes dy mësueseve përfundon në përplasje në mes të rrugës (Detajet)

Tiranë | Një sherr i nisur fillimisht mes dy mësueseve në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, degjeneroi mëngjesin e kësaj të hëne deri në përplasjen me sende të forta në mes të rrugës, e madje deri tek të shtënat me armë…

Një 32-vjeçar mbeti i lënduar me sende të forta, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe një pistoletë, me të cilën një prej personave të përfshirë në sherr dyshohet se qëlloi në ajër.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari thotë se deri më tani, pas sherrit dyshohet se fshihen motivet banale. Gazetari raporton se fillimisht gjithçka ka nisur në ambientet e gjimnazit mes dy mësueseve. Më pas ato kanë shkuar në një lokal aty pranë dhe përplasja ka vijuar, duke degraduar në përdorimin e sendeve të forta. Gjurmët e kësaj përplasjeje shihen edhe në trotuar. Mësohet se për të shuar konfliktin ka ndërhyrë edhe një polic i cili ndodhej në zonë në momentin e ngjarjes.

E gjithë kjo ngjarje ndodhi gjatë orëve të mëngjesit, në një kohë kur në zonë kishte nxënës, prindër e qytetarë të shumtë. Përplasja shkaktoi jo pak panik, e po ashtu edhe trafik…

Për normalizimin e ngjarjes ndërhynë forcat policore, që po ashtu shoqëruan në komisariat 5 persona.

Policia e Tiranës, informacion zyrtar për sherrin

Pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ishin duke u konfliktuar dyshohet me sende të forta 6 persona, menjeherë në vendngjarje kanë shkuar sherbimet e Policisë Rrugore, të cilat ishin në patrullim dhe kanë ndërhyrë menjeherë. Më pas në ndihmë të tyre kanë ardhur sherbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponjat”të cilët kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të metejshëm të konfliktit dhe shoqërimin e 5 shtetasve të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt, për veprime të metejshme.

Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë disa shtetas, ku njëri prej tyre shtetasi E. K. 32 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, i dëmtuar me sende të forta.

Në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, ku po kryhen veprimet përkatëse për të mësuar kujt i përket nga të shoqëruarve.

Sqarojmë se nuk ka persona të lënduar nga përdorimi i armës së zjarrit. Vijon puna nga Grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj./tvklan.al

 

Të Fundit