Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve
Dokumenti është nënshkruar sot, nga Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në vendimin të cilin e ka bërë publik vetë ministri Sveçla thuhet se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës”
Vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë. Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 euro.
Ndryshe sot në orët e mëngjesit janë shtuar forcat policore në kufi me Serbinë, për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se shtimi i forcave policore në veri të vendit, është në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.
“Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.
Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.