Një lajm i publikuar nga median italiane Gazeta ‘La Nazione’ gjatë orëve të fundit ka rikthyer në vëmendje një ngjarje të bujshme të pak kohëve më parë në Shqipëri.
Biznesmeni Italian Davide Pecorelli i shpallur i zhdukur në Pukë, tetë muaj më parë, e që dyshohej se ishte ekzekutuar dhe më pas djegur në makinën që kishte marrë më qira, është gjetur i gjallë në bregdetin e Livornos në Itali.
Biznesmeni vinte në Shqipëri për shkak të angazhimit që dëshironte të kishte në Shqipëri me produktet e parukerive.
Mirëpo 8 muaj më parë ai gjurmën e fundit e pati në Puke. Makina që biznesmeni që kishte marrë me qira u gjet e djegur dhe brenda saj kishte mbetje kockore.
Dyshimet e forta ishin se Pecorelli ishte vrarë dhe se mbetjet në makine ishin të tijat.
Mirëpo në fakt e kundërta ka ndodhur.
Biznesmeni 45-vjecar është gjetur në një gomone që rrezikonte të mbytej në bregdetin e Livornos.
Dyshohet se ai ka jetuar gjatë gjithë kësaj kohe në gomone.
Nuk dihet nëse biznesmeni ka pasur konflikte dhe i rrezikohej seriozisht jeta, apo kjo e gjitha ishte një inskenim që gruaja e tij të përfitonte siguracionin e jetës.
Në fakt një telefonatë e gruas me Pecorellin ka bërë që policia të binte në gjurmët e biznesmenit që është shëndoshë e mirë.
Çështja për zhdukjen e tij në Pukë tashmë do të pushohet mirëpo biznesmeni duhet të japë sqarime në prokurorinë e Peruggias në lidhje me atë që ka ndodhur në realitet.