1428 delfinë janë vrarë në një ditë të vetme në Ishujt Faroe, Danimarkë, duke shënuar kështu atë që besohet të jetë shifra rekord.
Grupi i delfinëve kurrizbardhë u drejtua në fjordin më të madh të Atlantikut Verior, ndërsa varkat i udhëhoqën drejt cekëtirave për t’i masakruar më pas me thika. Kafshët e gjora u tërhoqën më pas në breg dhe iu shpërndanë vendasve për konsum. Pamje nga vendngjarja tregojnë delfinët që rreken të shpëtojnë apo përpëliten në ujërat e përgjakura të plazhit, ndërsa qindra njerëz i vështrojnë.
Kjo praktikë famëkeqe e këtyre ishujve është një traditë e lashtë, e njohur si “bluarja” dhe konsiston në gjuetinë e gjitarëve të detit, ku fillimisht viktima ishin balenat. Mbështetësit thonë se është mënyra më e qëndrueshme për peshkimin, por faktet flasin ndryshe pasi rezultojnë numra shumë më të ulët të kafshëve detare, të cilat vriten në mënyrë çnjerëzore dhe mizore.
Vetë vendasit janë shprehur të shokuar dhe kritikë ndaj ngjarjes, ndërsa vetë autoritetet kanë pranuar se vrasja tejkaloi përmasat për shkak të një gabimi, pasi në fillim u duk se kopeja ishte në numër të vogël. Ajo që është më revoltuese është fakti se ndodh në një vend europian të zhvilluar e të pasur, ku nuk është e nevojshme të çohet dëm një sasi kaq e madhe mishi, që për më tepër është e kontaminuar.
Masakra ka marrë një vëmendje të madhe nga mediat dhe aktivistët, të cilët kanë vite që përpiqen të ndalin këtë praktikë në këto ishuj dhe tashmë duket se kanë më shumë shpresë për t’ia arritur qëllimit.