Dhjetëra aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur ditën e sotme para Ministrisë së Brendshme në Tiranë, duke protestuar për vrasjen e 23-vjeçares nga Fieri dhe grave që kanë rënë pre e dhunës nga bashkëshortët e tyre.
“Më mirë e ndame, sesa e vrame”, shkruhej në një nga pankartat që mbanin në duar protestuesit.
Me pankarta në duar, qytetarët janë shprehur përmes mesazheve se duhet të vihet drejtësia për viktimën e shënuar vetëm oak ditë më parë, por edhe për gratë që kanë humbur jetën më herët si pasojë e konflikteve familjare me bashkëshortët e tyre.
“Duhet të ishin pjesëmarrës vajza e gra nga qytete të tjera të Shqipërisë. Ky është një krim. Janë 14 të vrara…Është e pafalshme, e pa tolerueshme”, ka thënë një nga protestuesit.
Në protestë i pranishëm ishte edhe vëllai i 23-vjeçares, Armando Bengaj, i cili bëri fajtorë autoritetet e drejtësisë që e lanë të lirë. Sipas tij, ish-kunati ka qenë një dhelpër, që ia punoi prapa krahëve.
“Ata janë fajtorët që e nxorën nga burgu atë. Edhe ai doktori në burgun e Zaharisë, ka thënë që gjoja ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë një dhelpër që diti ta luajë mirë rolin. Na i punoi shumë bukur, neve. Na i punoi mbrapa krahëve”, është shprehur ai.
Ndërkohë, kujtojmë se Sabrina Bengaj u vra pak ditë më parë në Zhupan të Fierit.