Presidenti i Francës Emmanuel Macron u shpreh se Shqipëria dhe vendet e tjera që kanë pranuar që të marrin afganët po ndihmohen financiarisht për të përballuar faturën e strehimit të tyre. “Ne jemi gati për të ndihmuar vendet që janë në presionin e lëvizjeve migratore sikur janë Irani apo Pakistani.
Teksa SHBA po evakuojnë afganët të cilët po vendosen në Shqipëri ose në vende të tjera kundrejt një pagese, ka një pyetje që ne duhet ta bëjmë si europiane dhe nuk dua që ne ta vuajmë”, insistoi Emmanuel Macron duke thënë “a do vazhdojë të ketë lëvizje migratore, sepse është një vend në luftë me një regjim të dhunshëm?
Të gjitha këto çështje janë në zemër të nismës bashkë me Gjermaninë”, ka shpjeguar ai duke siguruar se nuk është i shqetësuar nga lëvizja e njerëzve por kërkon vendosjen e mekanizmave të përbashkët për të vepruar.
Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmë se shteti shqiptar nuk mund të përballojë shpenzimet për strehimin e afganëve duke zbuluar se do i paguajë SHBA.
“Shpenzimet nuk mund të jenë të taksapaguesve tanë. Se këtë do mund ta bënim por nëse ata do rrinë këtu 1-2 vjet nuk mundemi.
Shpenzimet, këto entitete dhe qeveria amerikane, do mbulojë shpenzimet e tyre. Nga pikëpamja e shpenzimeve. Ishte një variant për të ngritur kamp. Por kampe refugjatësh në Shqipëri nuk ka. Ata këtu duhet të vijnë si njerëz” tha Rama.
Në Shqipëri deri tani kanë ardhur vetëm një pjesë nga grupi prej 4 mijë afganësh që pritet që të mbërrijnë.