Presidenti I Republikës Ilir Meta ka reaguar ditën e sotme në lidhje me zbulimin e një varri masiv ku janë të varrosur 4 trupa dhe një tjetër pak më në distancë në Përmet, dhe dyshohet se janë viktima të diktaturës komuniste.
Me një postim në ‘Facebook’, Meta kërkon zbardhjen e të vërtetës, ndërsa shton se të ekzekutuarit padrejtësisht, meritojnë një vendprehje dinjitoze.
Meta thotë ndër të tjera se krimet e diktaturës duhet të dënohen si dhe duhet të gjendet të gjitha viktimat e regjimit.
“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës. I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës. Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror. Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë”, shkruan Meta.
Kujtojmë se trupat janë gjetur nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit Firma ndërtuese ka informuar autoritetet policore dhe këto të fundit kane rrethuar zonën në fjalë.
Ka qenë kreu i shoqatës e të ish-të përndjekurve politikë, Nebil Çika, që ka njoftuar se ky vend ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.