Një varr masiv i viktimave të diktaturës komuniste është zbuluar në Përmet.
Një sipërfaqe gati 100 metra katrorë është zbuluar nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit.
Firma ndërtuese ka informuar autoritetet policore dhe këto të fundit kanë rrethuar zonën.
Sipas kreut të shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë z.Nebil Çika, ky vend ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Janë katër skelete brenda një varri masiv që dyshojmë se janë të zhdukur nga diktatura komuniste, të të pushkatuarve. Kemi gjetur vetëm katër, por nga dëshmitarët dhe indiciet që kemi dyshohet për më shumë. Madje dhe një pjesë e ndërtesave të ndërtuara këtu dyshohet se mund të jenë ngritur mbi varre. Në kohën e diktaturës komuniste ky vend ka qenë një repart ushtarak i Ministrisë së Brendshme dhe në bazë të të dhënave këto vende përdoreshin edhe si vende për ekzekutime dhe më pas varrosjen e trupave. Jemi këtu jo vetëm për denoncimin e gjetjes së varrit masiv, por që këtu kemi një skemë krimi, kemi katër skelete dhe shteti nuk ka marrë asnjë masë. Kemi dy javë dhe këtu nuk ka ardhur asnjë polici, apo mjek ligjor, as arkeolog dhe kushdo tjetër që duhet të jetë i pranishëm në një skenë të tillë. Kjo skenë dëshmon indiferencën e shtetit për të zhdukurit e diktaturës.