Propozimi për të lejuar gratë që të martohen me më shumë se një burrë ka ngjallur debate të gjera në Afrikën e Jugut. Iniciativa për legalizimin e poliandrisë u çua para pas një dokumenti të publikuar nga Departamenti i Punëve të Brendshme.
Planet, pjesë e një lëvizje të gjerë nga qeveria për të reformuar aktin e martesës, kanë krijuar zemëratë tek konservatorët dhe disa grupe fetare. Poligamia, që i lejon burrat të kenë më shumë se një grua, është e lejuar në Afrikën e Jugut.
Por Kenneth Meshoe, i cili është lider i opozitës në këtë vend thotë se do të ishte shkatërrim për shoqërinë nëse të njëjtat të drejta do të aplikoheshin edhe për gratë.
Për propozimin ka pasur reagime edhe nga personazhe të njohur.
Ylli i reality Musa Mseleku, i cili ka 4 gra dhe merr pjesë në një program për familjet poligame duke folur për BBC tha: “Kjo do të shkatërrojë kulturën afrikane. Çfarë do ndodhë me fëmijët e këtyre njerëzve? Si do ta dinë identitetin e tyre? Gruaja nuk mund të marrë rolin e mashkullit. Kjo është e padëgjuar. E çfarë, mos vallë mashkulli do marrë mbiemrin e saj?”
Akademiku Collis Machoko, i cili e ka studiuar këtë subjekt, tha se kundërshtimet lidhen me ‘kontrollin’.
“Shoqëritë afrikane nuk janë gati për barazi të vërtetë. Ne nuk dimë çfarë të bëjmë me gra të cilat nuk i kontrollojmë dot”.
Ndërsa Ministri i punëve të Brendshme, Aaron Motsoaledi, u shpreh se debati ka zbritur në një luftë fjalësh. Sipas tij, ideja e hedhur në letër nuk është pozicioni zyrtar i qeverisë dhe ka si qëllim të inkurajojë njerëzit që të përfshihen në debat në temat që ngrihen.