Spitali Rajonal i Fierit do të mbështetet nga QSUT dhe katër spitale të tjera rajonale për një periudhë tre-mujore. QSUT, Lushnja, spitali i Fierit i vjetri, Vlora dhe ai i Gjirokastrës do ta furnizojnë me barna dhe pajisje mjekësore.
Sipas një urdhri të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, botuar në Fletoren Zyrtare, do të jene këto spitale që do t’i përgjigjen Spitalit Rajonal Fier për të gjitha nevojat për mallra dhe shërbime të domosdoshme.
Kjo periudhë tre-mujjore do të jetë një periudhë që do të shërbejë për mobilizimin dhe përfundimin e të gjitha procedurave ligjore apo administrative. Derisa spitali të vihet në funksion të plotë.
Në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë specifikohet po ashtu se shpenzimet shtesë të spitaleve të përcaktuara për mbulimin e nevojave për mallra dhe shërbime esenciale të Spitalit Rajonal “Memorial” Fier, do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Spitali Rajonal i Fierit hapi dyert gjatë kësaj jave. Në shërbim të pacientëve do të jenë 19 mjek shqiptarë dhe shtatë turq, ndërkohë që spitali ka një kapacitet prej 150 shtretërish.