Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar për ngjarjen e bujshme të përdhunimit të 15-vjeçares në një fshat të Mirditës, duke dënuar ashpër dhunën seksuale.
Sipas kryediplomates amerikane, përdhunimi është krim, ndërsa shtoi se i bashkohet të gjithë atyre që kërkojnë dënimin e autorëve.
Përmes një shënimi të shkurtër në profilin zyrtar në “Twitter”, ambasadorja Kim thekson se i bashkohemi aktivistëve dhe qytetarëve të tjerë që kanë kërkuar dënimin e atyre personave që abuzuan seksualisht me 15-vjeçaren.
Sipas saj, përdhunimi është një vepër penale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo thekson se ajo çfarë duhet të jetë tani si prioritet është një shërbim social dhe shëndetësor, deri në shërimin e plotë të vajzës, si dhe ndëshkim për abuzuesit.
“Ne i bashkohemi aktivistëve dhe të gjithë të tjerëve që flasin për dënimin e atyre personave që abuzuan seksualisht me një vajzë të re. Përdhunimi është një vepër penale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo çfarë duhet të bëhet në krye të radhës është: 1) shërbim social dhe shëndetësor deri në shërimin e plotë të vajzës 2) drejtësi. Ti jepet fund dhunës ndaj gruas. Jo, do të thotë JO #tinukjevetem”, shkruan Kim.