Policia e Korçës vijon punën për goditjen e informalitetit dhe krimeve mjedisore.
Gjatë një aksioni të fundit, blutë e Korçës kanë sekuestruar 73 metër sterë dru zjarri pa leje.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht 7 shtetas, 4 prej të cilëve për “Fshehje të ardhurash” dhe 3 të tjerë për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, konkretisht specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për evidentimin, parandalimin e goditjen e informalitetit dhe krimeve mjedisore, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit. Nga strukturat e mësipërme, u referuan materialet hetimore pranë Prokurorive, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” për shtetasit A. M., 63 vjeç, A. Sh., 49 vjeç, E. M., 34 vjeç dhe D. B., 20 vjeç, banues në Korçë dhe Pogradec, pasi këta shtetas në bizneset e tyre (bar-kafe, fast-food, piceri) në qytetet e Korçës dhe Pogradecit, ushtronin aktivitetin tregtar, pa lëshuar kuponin tatimor.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. Xh., 34 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në këtë fshat, gjatë kontrollit të ushtruar në fushën e druve në pronësi të tij, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 69 m sterë dru zjarri, pa leje.
Si edhe shtetasit E. Sh., 56 vjeç, banues në fshatin Bishnicë, Pogradec dhe R. M., 52 vjeç., banues në fshatin Osnat, Pogradec, të cilët u kapën me mjetet e tyre duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.