Luan Rama, i anatemuari i madh gjatë fushatës së zgjedhjeve në Vlorë që edhe pse kryesonte listën e LSI-së duke qenë edhe zëvendëskryetar i asaj partie, nuk u mbështet e madje u sulmua hapur nga Petrit Vasili që shkonte në Vlorë e bënte thirrje të mos votohej kolegu i tij po numri 2 i listës, ka postuar në faqen e tij në “Facebook” një poezi që me sa duket më shumë se sa për pasionin e tij për poezinë e respektin ndaj mikut të tij poetit Hamit Aliaj, e ka zgjedhur për të përcjellë një mesazh përmes një alegorie dhe metafore.
“Poezia është shpikja e parë pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha, ka shkuar një studiues serioz i saj”, thekson Luan Rama në statusin e tij, e ne vijim e paraprin poezinë e zgjedhur me nje koment vlerësues për disa nga poetët më të shquar siç thekson ai.
Po kush eshte ai që nuk shkoi asnjëherë në luftë? Cilët janë tradhtarët për të cilët flet poeti e për kë e adreson poezinë e poetit Luan Rama?
Ja statusi i plotë i Luan Ramës:
Poezia është shpikja e parë pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha, ka shkuar një studiues serioz i saj.
Pasioni im për poezinë është ndërkaq po aq jetësor sa vetë gjuha, ndaj më pëlqen që hëra-herës t’ju ftoj edhe ju të shijoni (sepse poezia shijohet, nuk lexohet) poezitë që unë i zgjedh ndër poetët tanë më të shquar.
Sot po ju ofroj një poezi prej mikut tim, poetit Hamit Aliaj, arti i të cilit e bën atë ndër bartësit e përgjegjësisë bashkë me Ilirian Zhupën, Rudolf Markun, Preç Zogajn e ndonjë tjetër, për të na dëshmuar se poezia e shkruar në shqip, ka poetë që ia mbrojnë nderin dhe që e nderojnë me shumë dinjitet edhe sot, jo vetëm si pasardhës të Dritëroit, Kadaresë, Arapit, Dhori Qiriazit, Xhavahir Spahiut etj, por më shumë si vazhdues e pasurues të një mozaiku vlerash të qenësishme për kulturën tonë kombëtare.
FAJE DRUNI
Nga Hamit Aliaj
Ai nuk shkoi asnjë ditë në luftë.
Kur ajo mbaroi dhe flitej për të munguarit,
I shpalli tradhtare të gjitha pemët:
Pse ju çelët lule
Edhe në kohë të robërisë?!
Me sakicë në krah, një nga një i pret.
Me drunin e tyne gdhend
Të dekun prej druni,
Që del e i shet
Në emën të historisë…