Shtëpia e Bardhë ka përjashtuar futjen e pasaportave të detyrueshme federale të vaksinimit Covid-19, duke thënë që privatësia dhe të drejtat e qytetarëve duhet të mbrohen.
Skemat për të futur pasaporta të tilla janë shpallur në të gjithë botën si një mënyrë për të mundësuar qarkullimin e sigurt të njerëzve gjatë luftimit të pandemisë. Por kritikët thonë se dokumente të tilla mund të jenë diskriminuese.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, në një konferencë për mediat tha se nuk do të ketë “bazë të dhënash federale të vaksinimeve” ose ndonjë detyrim federal që kërkon që të gjithë të marrin një certifikatë vaksinimi”.
“Qeveria nuk po mbështet dhe as nuk do të mbështesë një sistem që u kërkon amerikanëve të mbajnë një certefikatë,” tha ajo. “Interesi ynë është shumë i thjeshtë të drejtat e amerikanëve duhet të mbrohen, që këto sisteme të mos përdoren kundër njerëzve padrejtësisht.”
Vendet në të gjithë botën po vlerësojnë futjen e të ashtuquajturave pasaporta vaksine, të cilat do të përdoren për të treguar se një person është vaksinuar kundër Covid-19, si një mënyrë për tu rihapur në mënyrë të sigurt dhe për të udhëtuar.
Ky vendim vjen në kohën kur SHBA ka raportuar më shumë se 550,000 vdekje të lidhura me virusin dhe gati 31 milion raste, numrat më të lartë në botë, sipas Universitetit Johns Hopkins.