Në qytetin e Durrësit disa dhjetëra këpucë të kuqe mbushën shkallët e bulevardit kryesor në shenjë tributi për gratë që kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje.
Nisma e ndërmarrë në Ditën Ndërkombëtare të Grave, 8 Mars, është organizuar nga teatri “Aleksandër Moisiu” dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat e grave në Shqipëri.
Dhuna dhe krimet seksuale ndaj grave mbeten një plagë e shoqërisë shqiptare sipas raporteve të aktivistëve të shoqërisë civile në vend, me dhjetëra raste të raportuara çdo vit.
Tragjeditë familjare të përfunduara në vrasje të grave nga bashkëshortët apo familjarët e tyre meshkuj janë raportuar gjerësisht në media në vitet e fundit, ku shkaqet variojnë nga ato ekonomike, tek xhelozia mes bashkëshortëve dhe problematika të tjera sociale.
Pandemia vështirësoi edhe më shumë këtë situatë, duke qenë se kriza shëndetësore globale u shoqërua edhe me humbje të vendeve të punës, izolim në shtëpi me bashkëshortët dhunues dhe vështirësi të mëdha ekonomike.
Në Shqipëri, Linjat për Ndihmën ndaj Grave raportuan shtim të telefonatave të grave që kërkuan ndihmë për rastet e dhunës në familje, ndërsa shifrat e larta u reflektuan edhe në rastet e trajtuara nga Policia e Shtetit