Jemi ndalur në qytetin e Elbasanit, pasi Petrit Hoxha është drejtuar në redaksinë tonë, duke treguar, se ka mbaruar gjyqin për vitet e pensionit të gruas që në dhjetor 2020. Sipas tij, gjyqtarja Pajtime Fetahu nuk ka bërë zbardhjen e vendimit, në mënyrë që vendimi të shkojë te Sigurimet Shoqërore e kështu t’i lidhet pensioni.Ne pyesim në Gjykatë për këtë vendim, nëse ka zbritur te Kryesekretaria, por aty vendimi nuk ka mbërritur. Vetë gjyqtarja Fetahu nuk jep shpjegime për këtë vonesë, por ngujohet në zyrë, duke thënë se është në seancë gjyqësore.
Për shkak të pandemisë së Covid 19, mbajtja e maskave mbrojtëse është bërë e detyrueshme për qytetarët në ambientet e brendshme dhe të jashtme. Klintoni ka dalë në rrugët e kryeqytetit, për të vëzhguar situatën e respektimit të kësaj mase. Shumë nga qytetarët nuk i mbajnë maskat, ose i kanë në mjekër, thjesht nga frika e gjobave të policisë.
Në 12 shkurt transmetuam rastin e Cërrikut për Hamide dhe Shefit Pëllumbin. Ata janë nënë e bir dhe të dy e kanë të pamundur të flasin, të lëvizin dhe të kujdesen për njëri tjetrin.Tomorr Feza është një banor i lagjes, i cili kujdeset për Hamiden dhe Shefitin. Ai tregon, se nëna është e paralizuar prej gjashtë vitesh, ndërsa djali prej disa muajsh. Ky i fundit ka qenë në Greqi me gjithë familjen. Është divorcuar dhe më pas ka rënë nga skela.Tomorri thotë, se ata kanë vetëm një pension 170 mijë lekë, me të cilin duhet të blejnë ushqime, pampersa, ujë e drita. Ne jemi rikthyer në familjen e Shefit dhe Hamide Pëllumbit. Pas transmetimit të rastit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i institucioneve. Dhe qytetarëve., të cilët janë solidarizuar duke dërguar ndihma. Elmira Isaraj ka dërguar 50 euro, Ilir Ahmetaj nga Gjermania 100 euro dhe Qazim Hilaj ka dërguar 500 mijë lekë të vjetra. Tomorri, që kujdeset për dy të pamundurit, thotë, se janë marrë të dy për kujdes shëndetsor. Shefiti u shtrua në spitalin e Elbasanit dhe nënë Hamidja u mjekua dhe u cua në Azilin e Shkodrës.