“Kam një lajm për skeptikët”! Ambasadorja Yuri Kim reagon për arrestimet në Krujë: Shihni çfarë po bën SPAK!

TIRANË
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, reagon pas arrestimeve nga SPAK në Gjykatën e Krujës. Ambasadorja Kim thekson se “Reforma në drejtësi nuk është një mrekulli; është punë e vështirë, hap pas hapi, do të ketë dështime rrugës, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin rrugës dhe të ecim përpara”.

Në mesazhin e saj, kryediplomatja amerikane iu drejtohet të gjithë skeptikëve, që besojnë se SPAK nuk do të funksionojë, duke iu thënë se e kanë gabim.

“Dhe për të gjithë ata skeptikë që kanë thënë se asgjë nuk ka për të ndodhur, që reforma në drejtësi nuk do të ndodhë, që SPAK nuk ka për të funksionuar asnjëherë, kam një lajm për ju: e keni gabim”, thekson ambasadorja Kim.

Deklarata e plotë e ambasadores Kim:

Sikurse jeni në dijeni, unë shpesh flas për marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe e bëj këtë në emër të tri prioriteteve: demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Dhe erdha sot në Portin e Durrësit sepse këtu është vendi ku këto tri prioritete – demokracia, mbrojtja dhe biznesi – bashkohen. Demokracia në kuptimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pata mundësinë të bisedoja me drejtorin e autoritetit portual si dhe me atë të doganave. Kemi rënë dakord gjithashtu që janë disa hapa praktikë që mund të ndërmerren në mënyrë që të mbyllen disa pika të verbra.

Pres me kënaqësi që të rikthehem së shpejti dhe të shoh se ku është bërë përparim dhe gjithashtu se ku Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje. Për sa i përket çështjes së mbrojtjes, kjo vizitë është në vijim të vizitës së Gjeneralit Jerrard javën e kaluar. Siç e dini, stërvitja Defender 21 do të jetë një nga stërvitjet më të mëdha që do të zhvillohet në Ballkan dhe presim që shumë prej aktiviteteve të zhvillohen në dhe përmes Portit të Durrësit. Për sa i përket çështjes së biznesit, sikurse jeni në dijeni Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Shikoj potencial të madh për më shumë investime nga SHBA, investime të mëdha nga SHBA. Sikurse e kam thënë më parë, kjo ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e transparencës së proceseve. Për këtë arsye reforma në drejtësi është e rëndësishme.

Nuk është një çështje morale, është një çështje biznesi. Dhe për të gjithë ata skeptikë që kanë thënë se asgjë nuk ka për të ndodhur, që reforma në drejtësi nuk do të ndodhë, që SPAK nuk ka për të funksionuar asnjëherë, kam një lajm për ju: e keni gabim. Do doja të shikonit të gjitha hapat që ka ndërmarrë SPAK, çështjet që ka hapur, përfshi sot në Krujë. Reforma në drejtësi nuk është një mrekulli; është punë e vështirë, hap pas hapi, do të ketë dështime rrugës, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin rrugës dhe të ecim përpara. Është edhe diçka që e kam theksuar edhe më herët, se është e rëndësishme që ta shtyni veten, ta detyroni veten që të keni më shumë shpresë se sa skepticizëm. Prandaj, përqendrohuni tek faktet, shihni se çfarë është duke bërë SPAK, çfarë është duke bërë policia dhe mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda.

Të Fundit