Kandidati për deputet i LSI, Endrit Braimllari është gjobitur nga Policia me shumën 5.000.000 lekë për shkak se ka organizuar takim elektoral në kundërshtim me aktin normativ për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Braimllari, i cili është Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, në datën 7 shkurt, ka publikuar në rrjetet sociale foto nga takimi me banorë të Maliqit, brenda një salle ku shihen të pranishëm mbi 10 persona, por edhe pse me maska, janë ulur shumë pranë njëri-tjetrit, në kundërshtim me rregullat e vendosura anti-Covid.
Policia bën me dije se “pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi Endrit Braimllari, kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë”
Nuk ka shpëtuar pa u gjobitur me 1.000.000 lekë, edhe shtetasja Z. B., “pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ”.
Kujtojmë që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është e para që u përball me ndryshimin e sjelljes së Policisë ndaj organizimeve elektorale të partive politike për zgjedhjet e 25 prillit në raport me masat te merkuren ne qytetin e Elbasanit.
Kryemadhi replikoi me efektivët e Policisë së Elbasanit, të cilët pasi i komunikuan shkeljen e bërë, i caktuan si masë administrative gjobë.
Njoftimi i policisë
Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.
Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.
Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.