Përmes hedhjes poshtë të përgjimeve të publikuara nga antimafia italiane ,të cilat tha se nuk kanë asnjë provë për përfshirjen e zyrtarëve në Shqipëri në një skemë të pastrimit të parave të mafias, kryeministri Rama i ktheu përgjigje edhe opozitës që e akuzon për largimet e shqiptarëve masivisht nga vendi.
Rama tha se me gjithë këto publikime, që i cilësoi dokrra në fund të ditës do ketë më shumë njerëz të dështuar dhe që duan të ikin nga vendi.
“Këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara nuk ja bën njeri. Thoni do ikin njerëzit, flisni për shpopullimin por me këto dokrra e bëni të pajetueshëm, vendi është i pajetueshëm në këtë zallamahi.
A ka pastrim parash? Patjetër kjo nuk diskutohet fare. A ka probleme të tjera? Patjetër ka. E para: Ku nuk ka dhe e dyta si luftohen e sa luftohen? Ky është debati. Mos ore, mos se e bëtë Shqipërinë kazanin tuaj ku rrotulloni dokrra. Unë të them ja ujku, ju më tregoni gjurmët. Për çfarë? Për lidhje politike. Si mund të luftohet politikisht duke i bërë vendit nënën? Për çfarë e do atë fitore që dëshpërove më shumë njerëz që të thonë nuk bëhet ky vend. Si mund ta furnizoni këtë milet me këto dokrra, pisllëqe. Jepe lajmin kanë dalë këto përgjime, por thoni që këta mafiozë si përfundim kanë hapur një dyqan të vogël për shitjen e rrobave të punës”,- shtoi Rama.