Gara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është sërish e hapur dhe deri në datën 1 shkurt, kompanitë e interesuara duhet të shprehin interesin për të ndërtuar veprën.
I bllokuar në muajin dhjetor, 3 ditë para se të përfundonte afati i ofertave, pas ankesës së një kompanie, tenderi tashmë do të jetë aktiv edhe për 1 javë.
Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë përgjigje me shkrim shoqërisë “Global Technical Mechanics”, e cila kërkoi rishikim të termave për kapacitetet dhe përvojën, duke e pranuar pjesërisht ankesën.
Shoqëria, është e njëjta që ka firmosur kontratën për ndërtimin me koncesion të aeroportit të Kukësit.
Gara koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës u hap në vitin 2019, por u shty për shkak të pandemisë në vitin 2020, dhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, pista do të nisë të ndërtohet brenda qershorit të këtij viti.
Kompania që do të shpallet fituese do të ketë të drejtat e operimit për 35 vjet, ndërsa investimi llogaritet të mbërrijë në 87 milionë euro.
Ky aeroport do të jetë më i madhi në vend, duke lënë pas edhe Rinasin, si të vetmen qendër të udhëtimit të linjave ajrore civile në vend që nga viti 1957.