Sot në ambientet e “Air Albania” po zhvillohet dita e dytë e vaksinimit anti-COVID.
Pritet që sot të vaksinohen 60 mjekë, mes të cilëve dhe epidemiologë ata nga rrethet.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino dha lajmin se pritet që këto ditë të fillojë edhe vaksinimi i të moshuarve në azile.
“Të moshuarit do të fillojnë menjëherë krahas vaksinimit të mjekëve”, tha Bino, gjatë inspektimit që kryeministri Edi Rama bëri në ambientet e “Air Albania”.
Bino shtoi më tej se asnjë dozë nuk është humbur dhe se organizimi është bërë në mënyrë të tillë që çdo person të vaksinohet në kohën e duhur.
“Nuk kemi humbur asnjë flakon. Kemi bërë organizimin që të mos na humbasë asnjë dozë. Mund të vaksinojmë 600 veta brenda ditës”, tha Bino.
Sakaq, Shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, zonja Erida Nelaj tha se nga 50 vaksinat që u injektuan një ditë më parë, asnjë pacient nuk pati shqetësime.