Sa të besueshme janë kompanitë, që ofrojnë pajisje e produkte dhe sa të besueshëm janë agjentët e shitjes së tyre? Kemi shkuar në familjen Sherifaj në Varibop të Fierit. Në muajin maj të këtij viti, ajo telefonohet nga përfaqësues të kompanisë “Ritello”, e cila i ofron një pajisje me disa funksione: si sistem pastrimi për ajrin në ambientin e shtëpisë, fshesë me korent etj.Pasi i vjen edhe në banesë, duke ia prezantuar këtë pajisje, agjenti i shitjes, Ajhan Hymetllari, i kërkon kryefamiljarit të marrë një kredi prej 2 milion e 450 mijë, me qëllim blerjen e saj dhe njëkohësisht, brenda cmimit, të fitojë edhe disa pajisje dhuratë si mjelëse për lopët etj. Klienti ia jep paratë të gjitha, por agjenti, jo vetëm që nuk i sjell më aksesorët e pajisjes, por nuk mban as premtimin për pajisjet dhuratë.
Familja Sherifaj, që nga maji e deri më sot, i kërkon agjentit të shitjes, që t’i kthejë produktin, e të marrë paratë mbrapsht. Ky i fundit premton, se do ta zgjidhë cështjen, por vetëm mashtron e zhduket. Pas këmbënguljes së Stop, agjenti i kompanisë nënshkroi një kontratë me klientin, ku pranoi njohjen e detyrimit në shumën e 2 milionë e 600 mijë lekëve dhe shlyerjen e kësaj shume brenda vitit.