Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zbuluar autorët e dy vrasjeve mafioze të 15 viteve më parë, ku në një ditë diferencë mbetën të vdekur Klodian Saliu dhe Vajdin Lamaj.
Për vrasjen e Saliut të ndodhur në 26 shkurt 2005, SPAK thotë se autorë të dyshuar janë Indrit Taullai, Luftar Reçi, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj të cilët në atë kohë njiheshin si ‘Banda e Durrësit’.
Për këta dy të fundit është lëshuar edhe urdhër arresti ndërkombëtar. Berisha rezulton se ndodhet jashtë Shqipëri dhe aktualisht ndodhet në Gjermani. Jashtë vendit dyshohet se ndodhet dhe Dervishaj, ndërsa Taullau, i cili fitoi lirinë në vitin 2018 është arrestuar në Kosovë.
Ngjarja tjetër lidhet me vrasjen e Vajdin Lamajt e ndodhur më 27 shkurt 2005, ku mbeti i vdekur nga shpërthimi me një sasi eksplozivi në ashensor, ku viktimë mbeti dhe miku i tij, A. Arsi.
Ky zhvillim i ri ka ardhur pasi një person i penduar për drejtësinë ka dëshmuar për autorët e këtyre dy ngjarjeve të bujshme. Personi në fjalë rezulton i dënuar dhe aktualisht po vuan dënim në Shqipëri.
Sipas SPAK Berisha, Dervishaj, Taulla dhe Reci, janë të dyshuar për vrasjen e Kleidi (Klodjan Saliu) por dhe për vrasjen e Lamaj dhe mikut të tij Arsi.
Gjithashtu për vrasjen e Lamajt, SPAK ka ngitur akuzë dhe për Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymeri. Shullazit i është komunikuar edhe akuza pasi është i paraburgosur nën regjimin e posaçëm të izolimit 41 Bis.
Lulzim Berisha edhe pse i akuzuar si kreu i “Bandës së Durrësit” arriti të rifitonte lirinë në fund të vitit 2016. Fillimisht ai u dënua me burgim të përjetshëm për të paktën 5 vrasje por Gjykata e Lartë dy vite pas vendimit rrëzoi dënimin maksimal duke vendosur 25 vite burg.
Berisha u arrestua në vitin 2006 kurse dënimi u dha në vitin 2012. Me lirimin e tij në fund të vitit 2016, praktikisht ka kryer vetëm 10 vite heqje lirie dhe dalja erdhi pas disa ulje dënimi dhe amnistie si dhe në fund përfitoi dhe ka sëmundja dhe një punësim në Bashkinë e Durrësit, firmosur në atë kohë nga Vangjush Dako.