Një tjetër pacient i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga katet e larta të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Policia tha se ngjarja ndodhi rreth gjysmë ore pas mesnatës teksa viktima është një 60-vjeçar me inicialet L.S, i cili thuhet se kishte dy ditë i shtruar për ndërlikime që i kishte shfaqur infektimi prej COVID-19.
Autoritetet thanë se përpara ngjarjes “nuk ka pasur raportime për probleme dhe rëndim të dukshëm të gjendjes psikologjike”.
Ky është rasti i pestë i vetëvrasjeve të të sëmurëve në spitalet COVID në pak muaj dhe rasti i katërt vetëm në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Vetëvrasja e parë ndodhi më 13 gusht kur Xhino Koça (29 vjeç) i dha fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i spitalit.
Rreth një muaj më pas, të njëjtin veprim kreu edhe Hasan Mira (65 vjeç) e më tej në muajin nëntor Preng Gjonaj (52 vjeç) i dha gjithashtu fund jetës.
Më 11 nëntor Reshat Grembi (69 vjeç), gjithashtu i prekur nga COVID-19, u hodh nga ballkoni i Spitalit Infektiv në QSUT. Ai u nda nga jeta një ditë më pas.
Autoritetet mjekësore ia kanë faturuar vetëvrasjet rëndimit psikologjik si pasojë e gjendjes së sëmundjes së COVID-19.
Grupi hetimor dhe sherbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.