“Sistemi ynë po iu përgjigjet qytetarëve” Manastirliu: Mos ejani vonë në spitale, mos u frikësoni, ka shtretër!

Gjatë fjalës së saj si e thirrur në interpelancë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri një rezyme të punës 9 mujore në përballje me pandeminë e Covid, që ajo e quajti një luftë të vërtetë.

Manastirliu tha se investimet kanë qenë të shumanshme, që nga mbrojtja e personelit, bonusi për ta, pajisja e spitaleve Covid me respiratorë e sistem oksigjenimi, deri tek shtimi i shtretërve nëpër spitale si dhe krijimi i sistemit të Urgjencës Kombëtare.

Duke hedhur poshtë me forcë, akuzat nga kampi blu, Manastirliu iu drejtua qytetarëve, duke apeluar se ka ende kapacitete dhe se nuk duhet të vijnë vonë për kurim.

“Do kisha dashur të dilja para jush si ministre Shëndetësie në kohë paqeje, që të diskutonim të jeta gjëra, ligjet e reja, reformat në shëndetësi, por e vërteta është se po jetojmë në një kohë lufte. Sot kam përgjegjësinë t’ju bëj me dije punën e bërë për përballimin e kësaj situate.

Kur po mendonim se po kuronim plagët e sistemit shëndetësor ndër vite, Shqipëria pësoi dy goditje të mëdha, tërmetin dhe pandeminë. Dy sfida që na vunë në provë. Ne kishim dhe kemi një mision: Shërbim ndaj qytetarëve kudo janë! Fatmirësisht që s’na gjeti pandemia në grahmat e fundit, siç ne e gjetëm shëndetësinë në 2013. Në çdo fazë të saj kemi ecur në bazë të strategjive të komitetit të ekspertëve në konsultim të plotë me OBSH, kanë qenë 9 muaj sfidues. Qeveria iu përgjigj menjëherë thirrjes për masa mbrojtëse dhe aparatura, 4 laboratorë dhe mbi 100 epidemiologë në terren. Kemi prioritet cilësinë, po hetojmë dhe gjurmojmë të sëmurët kronikë.

Jemi të vetëdijshëm që gjithmonë ka vend për përmirësim. Brenda muajit dhjetor presim testet e shpejta antigen. Dje morëm sasinë e fundit prej 230 mijë vaksinash gripi.

Kemi rritur kapacitetet spitalore, shtim i mbi 250 shtretërve në spitalet covid, pajisëm strukturat me linja oksigjeni, spitalet rajonale të përgatitura, janë trajnuar stafet e pajisur spitalet me oksigjen e aparatura. Kemi dyshfishuar respiratorë në spitale 7 mln euro ka qenë mbështetja për stafet në betejën me Covid.

Ne kemi ende shumë për të bërë, po punojmë natë e ditë dhe sistemi ynë po i përgjigjet deri tani qytetarëve. Nëse s’do kishim investuar 5 vite më parë në sistemin e urgjencës Kombëtare, nuk di të them si mund të ishte situata. E kemi ndërtuar ne, pasi nuk ka qënë. Investimi në autoambulanca që asnjë qytetar të mos mbetet pa shërbim do vijojë. Ne jemi të vetëdijshëm dhe jemi të siqertë se mundet të bëjmë edhe më shumë. Në planin vjeshtë-dimër futëm në paketën e rimbursimit ilaçet e atyre që kurohen në shtëpi. Ju drejtohem me zemër: Mos ejani vonë në spitale mos u frikësoni se nuk ka shtretër, ata që sot flasin e lanë shëndetësinë gërmadhë! Mos i dëgjoni ata që s’janë kujdesur ndonjëherë për ju, besoni tek ekspertët, për të ndihmuar njëri-tjetrin në këto momente të vështira”,- tha ajo.

Të Fundit