Gati e tërë bota ka mirëpritur lajmin se vaksina anti-COVID e zhvilluar nga kompanitë Pfajzer dhe BionTech ka dalë 90 për qind efektive dhe se është gati të fillojë shpërndarjen në fund të muajit. Megjithatë, shumë qytetarë europianë janë shprehur skeptikë kundrejt përdorimit të menjëhershëm të medikamentit.
Fakti që kjo vaksinë u prodhua, u testua në një periudhë shumë të shkurtër dhe pa dalë të gjitha rezultatet përfundimtare po diskutohet shpërndarja e dozave dhe përdorimi masiv i tyre, I ka nxitur qytetarët Italianë, anglezë apo gjermanë të shprehin se vaksina nuk është ende e sigurt.
“Unë nuk do ta marr vaksinën, sepse ata thonë se është vetëm 90 për qind e sigurt. Po me 10 përqindëshin çfarë ndodh?” – thotë Diego Antonio, qytetar në Romë.
Më skeptikët duket se janë të moshuarit, pikërisht ata persona të cilët janë edhe më të rrezikuarit e pandemisë. Ata shprehen se nuk do ta marrin vaksinën menjëherë, por do të presin ecurinë e mëtejshme të medikamentit.
“Unë nuk do të vaksinohem menjëherë. Jam shumë e moshuar për këtë. Megjithatë, mendoj se është e mrekullueshme që ata po punojnë mbi këtë dhe besoj se do të ketë një vaksinë. Jam 100 për qind e sigurt”, – shprehet një e moshuar në Gjermani.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka porositur 30 milionë doza të kësaj vaksine, por mungojnë rezultatet e fazës së fundit, të cilat do të siguronin besueshmërinë e qytetarëve.
“Ne kemi dëgjuar një lajmërim publik, që tregon se vaksina duket premtuese. Nuk ka ende asnjë detaj të plotë, prandaj do të doja të dëgjoja dhe të dija më shumë. Megjithatë kur një vaksinë të dalë, unë do të vihem në radhë ta marr”, – shprehet John Mitchell, në Angli.
Lufta kundrejt pandemisë COVID-19 ka vënë në garë shumë kompani, të cilat kanë zhvilluar dhe eksperimentuar vaksina potenciale, por vetëm Pfajzer dhe BionTech kanë arritur deri në 90 për qind efektivitet. Por shumë qytetarë mendojnë se “kjo nuk do të përcaktojë fundin e pandemisë”.