Emisioni “Stop” u ndal në fushën e Butacit në Ndroq për një konflikt pronësie. Nada Turku tregoi se pronarët kufitarë i kanë hapur dy rrugë në tokën që e ka me certifikatë pronësie.
“Kam një tokë bujqësore në fushën Butac, 3 dynym e 300 metra dhe kam patur gjithmonë probleme me pronarët që kufizohen me tokën time. Kam kërkuar ndihmë gjithandej! Kam bërë gjyqe dhe kam dalë me dokumente të rregullta, si certifikata e tokës dhe vendimi i prokurorisë. Dhe kur vjen puna, ne nuk kemi mbaruar punë dhe kemi patur probleme me kufitarët”, u shpreh denoncuesja.
Ajo shtoi se pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme, fqinjët i ndalojnë të punojnë në tokën e tyre dhe vijojnë të konfliktohen me meshkujt e familjes Turku.
“Kanë bërë dy rrugë në tokën time për të dalë në rrugën kryesore, ndërkohë që ka rrugë dhe në shtëpinë e tyre dhe mund të dalin kollaj. Më pengojnë punën se nuk mund ta punoj tokën parcela-parcela siç duan këta, por dua ta punoj siç e kam punuar dikur. Ç’kuptim ka toka ime me rrugë të futura midis? Unë dua që këto rrugë të hiqen sepse janë bërë padrejtësisht!”, u ankua zonja Nada.
Gazetarja e emisionit “Stop” njoftoi Policinë e Shtetit, e cila pas 10 minutash shkoi në fushën e Butacit dhe komunikoi me të dyja palët.
Banori – Unë të mos kem rrugë në shtëpi? Te rruga e gjyshit tim? Leje nuk është organizuar, e kanë matur në vend tjetër edhe ashtu.
Polici – O nëne!
Nëna – O fytyrë…
Banori – A po ikën ti ee?
Polici – O nëne!
Nëna – Të iki unë?
Polici – Nëne largohu!
Banori – Ik e m’u zhduk! Ik e m’u zhduk të thashë!
Polici – Të lutem o nëne, të lutem një çik këtej me mua.
Nëna – Hajduta! Kujt i flet ashtu ti?
Polici – O nëne nuk ka nevojë tani.
Nëna – Për ça po flet ashtu ai?
Polici – Po duro tani.
Nëna – Nuk duroj më se na ka ardhur deri këtu! S’ka, nuk dua shtëpi më fare. Nuk dua të jetoj më në shtëpi!
Efektivët e policisë i shoqëruan konfliktuesit në Komisariatin Numër 6, në mënyrë që të gjendej një zgjidhje. Pas disa ditësh pronarët e tokës mundën ta merrnin në shfrytëzim pronën e tyre..
Nënë Ikja u shpreh e përlotur: “Ju falenderojmë me gjithë zemër e shpirt. Po të mos kishit qenë ju nuk do të ishte bërë gjë, se që nga 2006 nuk është zgjidhur asnjë gjë!”
Hitparade i absurdit shqiptar.
Në pakon e limontozit është fshirë data e skandencës.Në zonën afër drejtorisë së doganave i është vënë zjarri kazanëve të plehrave. Disa fëmijë në Tiranë janë filmuar në tentativë vjedhjeje. Janë këto disa nga videot, që transmetohen dhe komentohen në studion e emisionit “Stop”, në rubrikën “hitparade i absurdit shqiptar”.
Lindur në Camëri, banuese në Vlorë, qytetarja lutet për një pasaportë.
Hatixhe Isufi ka lindur në Arpice të Çamërise dhe që prej moshës 2-vjeçare jeton në Vlorë, por nuk mundet të pajiset me pasaportë.
“Unë jam shqiptare. Kam lindur në Çamëri, por ngaqë kishim kombësi shqiptare, greku na largoi. Si të gjithë çamët, jo vetëm mua. Në Vlorë jam rritur e kam krijuar familje, por sot që kam nevojë për një pasaportë shqiptare nuk më jepet sepse kam lindur atje. Pse të më hiqet mua kjo e drejtë?”, u shpreh e shqetësuar 75-vjeçarja.
Nga zyrat e Gjendjes Civile të Njësisë numër 4, Hatixheja është pajisur me letërnjoftim në vitin 2009, por me ligjin e ri nuk mund të pajiset me pasaportë për shkak të vendlindjes.
“Unë sot kërkoj vetëm pasaportën që të jem e lirë dhe të mos jem e izoluar në Vlorë!”, bëri thirrje denoncuesja. Marrëveshja e toponimeve të vitit 2014 duhet ta zgjidhte këtë situatë, por mesa duket gjithçka ka mbetur në letër.“Për pjesën e Çamërisë nuk ka akoma një marrëveshje, udhëzim të saktë, por duhet të rregullohet në bazë të aktit të lindjes”, u shpreh punonjësja e gjendjes civile, e cila u sugjeroi komunikimin me Drejtorinë e Përgjithshme për një përgjigje më korrekte.
Por 75-vjeçarja kërkon të drejtën e saj, pasi është shqiptare dhe meriton të ketë pasaportën biometrike shqiptare. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në muajin Maj të vitit 2014 deklaroi se kishin arritur marrëveshjen me shtetin grek për toponimet, në mënyrë që qytetarët të lëviznin pa asnjë problem.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u tha se çështja e Hatixhe Isufit u zgjidh, por nuk mund të dilnin publikisht për të ruajtur stabilitetin e marrëdhënieve me shtetin fqinj.