Një qytetar ka denoncuar në emisionin “Stop” se është hequr në mënyrë të padrejtë nga skema e ndihmës ekonomike. Dashnor Macaj thotë se për shkak të një gabimi në sistem, i është hequr ndihma ekonomike, pavarësisht se ka qenë i rregullt me paraqitjet e tij në zyrat përkatëse.
Dashnor Macaj: “Iu drejtova emisionit Stop se jam një banor i Njësisë Nr.5. Quhem Dashnor Macaj. U interesova për të marrë përkrahjen e muajit Maj, shkoj atje dhe ata ma kishin hequr përkrahjen, duke më thënë se ‘ti nuk je paraqitur’. Unë shkoj çdo muaj dhe paraqitem rregullisht në këto sistemet e përkrahjes. Por këtë radhë ata më thanë që ti je hequr nga sistemi i paraqitjes, sepse ne kemi defekt. Kërkoj me insistim që kush do m’i paguajë këto muaj? Me sistemin që do të hyj prapë, prapë do të më shtyhen 2-3 muaj të tjera.
Me këto dy muaj mua më humbasin rreth 110 mijë Lekë, përjashto pagesën e ujit e këto, sepse unë këto i plotësoj duke mbledhur kanaçe, duke bërë punë të zezë. Ndryshe nuk ia dal dot me këtë ndihmë ekonomike që kam. Ju kam kërkuar dhe punë, për ty s’kemi punë më kanë thënë se je moshë e madhe. Jam përjashtuar dhe nga rimbursimi i dritave dhe ujit. Ndihmën ma hoqën, se ku do ushqehem nuk e di. Unë jam vetë i pestë. Tre kalamajtë i kam të mitur, ata janë në shkollë dhe ata duan kërkesat. Unë nuk e di me çfarë do të ushqehen këta fëmijë dhe unë bashkë me familjen”.
Emisioni “Stop” shkoi në Njësinë Nr.5, aty ku ndodhen Zyrat e Ndihmës Ekonomike për të marrë një përgjigje. Tek kjo zyrë na thanë se, Dashnor Macaj ka dalë nga skema sepse nuk është paraqitur tek zyra e punësimit, ndërkohë që është tërësisht e kundërta. Këtë fakt e konfirmojnë edhe tek zyra e ndihmës ekonomike tek Njësia Administrative Nr.5. Punonjësja na shpjegoi se është një problem mes zyrës rajonale dhe zyrës së punësimit. Megjithatë, pavarësisht gabimit në sistem, zyra rajonale ka dhënë lejen që personat të cilët kanë kartonin të firmosur dhe vulosur, mund të futen përsëri në skemën e ndihmës ekonomike. Por deri sa të ndodhë kjo, kush do t’i paguajë dy muajt e qytetarit Dashnor Macaj? Për të marrë një përgjigje, u drejtuam tek Zyra e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Aty na thanë se Dashnor Macaj është paraqitur rregullisht në zyrat e punës si punëkërkues i papunë.
“Në bazë të verifikimeve që kryem, rezulton se z.Dashnor Macaj është i regjistruar si punëkërkues i papunë në Zyrën e Punës Tiranë, është paraqitur rregullisht sipas datave të takimit që janë paraqitur nga specialisti përkatës. Në sistem figuron i regjistruar, dokumenti që zotëria disponon është e rregullt. Përsa i përket pretendimit që z.Dashnor ka në lidhje me faktin që nuk figuron në sistem, ky është një problem që nuk është në kompetencën e institucionit tonë. Mendoj se duhet t’i drejtoheni institucionit përkatës, Shërbimi Social Shtetëror që duhet t’i japë zgjidhje rastit të z.Dashnor”.
Prej këtej, u drejtuam tek Shërbimi Social Shtetëror, ku drejtoresha e kontrollit të pagesës pranoi se është përgjegjësi e këtij institucioni që ka nxjerrë nga skema familjen Macaj. Drejtoresha Pashaj tha se familja do të rifutet sërish në skemën e ndihmës ekonomike.
Miranda Pashaj: “Shërbimi Social Shtetëror verifikoi rastin e familjes Macaj. U vu re që gjatë muajit Maj 2018, familja është refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike Gjatë muajit Maj është parë një mospërputhje e të dhënave të rakorduara, për këtë arsye është marrë një vendim që në muajin Maj të merret parasysh verifikimi manual. Prandaj konstatojmë që vendimi i Drejtorisë Rajonale të Tiranës nuk është bazuar ligjërisht, pra ka një gabim në këtë rast. Për këtë dëm të shkaktuar familjes do të merren masa disiplinore ndaj specialistëve të Drejtorisë Rajonale. Gjithashtu për familjen për të dy muajt për të cilën është përjashtuar padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike për muajt Maj dhe Qershor, do t’i kthehet shuma sipas masës së përfitimit. Do të jenë specialistët që i kanë shkaktuar dëmin kësaj familje, të cilët do të paguajnë masën e përfitimit për këtë familje”.
Kështu, emisioni “Stop” i dha zgjidhje edhe një tjetër problemi të qytetarëve, duke rikthyer në skemën e ndihmës ekonomike familjen Macaj të hequr padrejtësisht, dhe mbi të gjitha do të marrë paratë për dy muajt e humbur.