Dashnor Zoga tregon në emisionin “Stop” se bleu një vit më parë një makinë “Mercedes Benz” nga Eridion Gjata. Por ditën që doli me makinën e re, u kap nga policia në gjendje të dehur dhe bëri 4 muaj burg. Pasi shleu dënimin, shkoi në polici për të marrë makinën, por aty mësoi se e kishte tërhequr Gjata, duke përdorur lejen e qarkullimit që nuk kishte kaluar ende në emrin e Dashnor Zogës.
“E ka marrë Eridion Gjata, zotëria që unë ia kam blerë makinën. Kam bërë tërheqjen në krye të 10 ditëve që unë vuaja dënimin në burg. Unë kërkoj automjetin atje ku më është sekuestruar te policia. Pas mjetit që është me procesverbal, më takon të bëj tërheqjen e tij nga policia. 1 milionë lekë e kam blerë”.
Dashnori gjithashtu tregoi se tanimë i duhet të lëvizë me gomar, duke u shprehur: “Të paktën kam gomarin!”
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Komisariatit të Policisë Fier, për të komunikuar me oficerin e policisë gjyqësore, Fatun Hoxha, i cili ka mbajtur procesverbalin e sendeve të sekuestruara të Dashnor Zogës.
“Më datë 12.04.2017 është ndaluar nga patrulla e policisë rrugore shtetasi Dashnor Zoga, i cili drejtonte një autovetyrë me targa AA271NA dhe dokumentacioni që është marrë është leja e qarkullimit, certifikata e sigurimit të detyruar dhe ai teknik, por nuk ka patur dokumente të tjera, si kontrata e shit-blerjes”.
Ai tha se i ka sekuestruar këto dokumente e më pas i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Hoxha shtoi se dorëzimi i automjetit të sekuestruar është bërë më urdhër të prokurorisë, duke marrë shkas nga leja e qarkullimit, e cila ishte ende në emrin e Eridion Gjatës.
“Pasi më ka ardhur shkresa këtu, është paraqitur edhe shtetasi për të marrë sendin e sekuestruar. Ky mjet t’i dorëzohet shtetasit Eridion Gjata thotë shkresa nga prokuroria dhe pranë zyrës sonë është paraqitur Eridion Gjata”.
Oficeri i policisë gjyqësore shtoi se nuk e kupton se pse Eridion Gjata ka marrë automjetin më datë 16.04.2017, ndërkohë që ia ka shitur Dashnorës Zogës.
Ndërsa vetë Eridioni, i ndaluar nga gazetarja e emisionit “Stop”, nuk pranoi të japë shpjegime se pse kishte tërhequr makinën që e shiti vetë.