Sjell makinën nga Italia, si e mashtroi qytetarin agjenti doganor i “Laura one”. 4 prill 2018

Ardjan Vrenozi tregon në emisionin “Stop” se në Janar të vitit 2017 ka sjellë nga Italia një makinë tip “Audi A3”, përmes portit të Durrësit. Në ambientet e portit, një agjent i agjencisë “Laura One” i ka ofruar shërbimin për zhdoganimin e makinës, e cila i kushtoi 1300 Euro.

“Jam Ardjan Vrenozi nga Fieri. Erdha në doganën e Durrësit se më erdhi një makinë nga Italia. Zbriti nga trageti, mora letrat dhe shkova te dogana e Durrësit për të prerë letrat. Shkova te zyra “Laura One”, ma nxori vlerën e makinës “Audi A3″ të vitit 2009 1 milion e 600 mijë lekë, por unë i dhashë 1300 euro. Pas një viti e gjysmë më nxjerrin që doganën e kam bërë false”.

Denoncuesi rrëfen se tanimë e kanë thirrur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, pasi rezulton se ka paguar në bankë vetëm 460 mijë lekë, ndaj dhe duhet të gjobitet. Por punonjësi që i ka marrë në mënyrë abuzive paratë nuk është më në këtë zyrë.

“Kam shkuar dy herë dhe më thonë që duhet të paguaj doganën nga e para dhe gjobë. Por ç’faj kam unë se i kam paguar një herë. E kam bllokuar makinën, nuk lëviz se ma marrin”.

Gazetari i emisionit “Stop” iu drejtua agjencisë “Laura One”, që tanimë emërtohet “Friendship Customs MSM”, për të komunikuar me pronarin e saj, Konstadin Riston, por ai u zhduk sapo pa gazetarin dhe nuk iu përgjigj telefonatave të tij.

Në pritje të përgjigjes së Ristos, gazetari u telefonua nga një person, i cili kërkonte takim, duke u identifikuar si një agjent i agjencisë.

Agjenti – Alo! Në çfarë vendi je, dua të të takoj pak?

Gazetari – Po kush je?

Agjenti – Unë jam një djalë këtu, një i agjencisë.

Gazetari – Unë jam te dogana.

Agjenti – Aa… ok! Dakord!

Më pas gazetari u takua me këtë person, i cili rezultoi të ishte Ani Kacmoni, agjent i agjencisë së Konstadin Ristos.

Gazetari – Më thuaj, kush je?

Agjenti – Unë jam Ani Kaçmoni, një agjent…

Gazetari – Kush ta ka dhënë numrin?

Agjenti – Mu ma dha ai, Koçi.

Gazetari – Po pra, tani jemi përballë këtij fakti: ky zotëria ka një makinë të 2009-s, ky djali i ka dhënë atij 1300 euro… Ai është futur ka bërë pagesën te kjo këtu, banka Credins…

Agjenti – Ee.., te kjo banka Credins…

Gazetari – Tani, pas një viti, ky është pajisur me targa e me të gjitha dhe e thërrasin nga Drejtoria e Doganave sepse ka probleme me çështjen e zhdoganimit dhe përpos pjesës që duhet të bëjë pagesën për pjesën e diferencës, duhet të paguajë një gjobë nja 5-fish… Tani ideja është si mund të dalë kjo shkresë nga një agjenci, kur automjeti është i 2009-s? E vërteton kontrolli teknik…

Agjenti – Tani, unë kam pas një djalë, që punonte me mua edhe normalisht ai merrej me këto procedurat e doganës. Unë e kam patur të punësuar dhe fatkeqësisht jam unë në këtë… këtë siklet.

Gazetari – Tani jemi në kushtet që duhet të gjejmë këtë sepse i bie që ti të rrish pa punë.

Agjenti – Se s’bën, ça i kam numrat e telefonit, unë do t’i kaloj.

Gazetari – Kështu që, hajde ta gjejmë…!

Agjenti – Në qoftë se do t’i kisha marrë unë lekët, do të isha unë i pari që do t’i paguaja. Por kur unë s’kam marrë asnjë lek, unë jam në këtë siklet.

Gazetari – Bjeri njëherë atij djalit në telefon… ose thuaji ku je dhe shkojmë e takojmë.

Agjenti – Të përgjigjej, do të ishtë perfekt, po…

Agjenti – Danjela, përshëndetje! Më fal që po të shqetësoj… Mirë… të lutem, mund të më lidhësh pak me Erdin? Në telefon që t’i thuash pak që të më telefonojë? Ndoshta ty të përgjigjet, mua nuk më përgjigjet. Të lutem thuaji që po të pret Ani?

Gazetari – Po gruaja çfarë tha… gruaja e atij?

Agjenti – Të njëjtin numër kam edhe unë tha, i thashë ty të përgjgjet, mua nuk më përgjigjet.

E kontaktuar nga emisioni “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet një përgjigje zyrtare, tha se ky rast dhe të tjerë janë pjesë e një hetimi administrativ, pas të cilit do të merret vendim në bazë të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.

 

Të Fundit