Kastriot Frangu denoncon në emisionin “Stop” dëmin shëndetësor dhe sjelljen e padenjë të klinikës “Dental Turk”. Pasi priti 3 muaj për punimin e protezës, rezultoi jofunskionale, pasi as ha, as pi e as flet dot me të.
“Iu drejtova emisionit “Stop” për një problem që kam me klinikën dentare ‘Dental Turk’. I jam drejtuar kësaj klinike që në datë 7 Nëntor për të bërë një protezë të lartme dhe të poshtme. Pas një periudhe 3 mujore, unë iu ankova subjektit në fjalë që kjo protezë nuk është për mua, duke e parë që nuk kishte funksion as për të ngrënë, as për të pirë, as për të folur, si në këto momente që mezi po flas”.
Denoncuesi rrëfen se pagoi 1 milion e 200 mijë lekë, pasi i premtuan 5 vjet garanci, por kur u ankua për rezultatin e protezës e përzunë. Ai u shpreh: “Dental Turk që na sjell buzëqeshjen po na e ngrin buzëqeshjen! Ku ta çoj unë këtë tani?”
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” së bashku me Kastriotin shkuan pranë kësaj klinike për të shfaqur me zë e figurë sjelljen e tyre ndaj klientit të pakënaqur.
Qytetari – Përshëndetje!
Administratori – Përshëndetje!
Qytetari – Si kalove? Mirë? Kam paguar 1 milionë e 200, kam ndenjur 3 muaj këtu dhe gojën e kam jo funksionale.
Administratori – Ja… ja… jazëk, jazëk të qoftë ty!
Qytetari – Po mirë mo, dakord..!
Administratori – Jazëk të qoftë… ik tani!
Qytetari – Nëqoftëse është jazëk, më thuaj ti mua more burrë i…
Administratori – Ik tani! Nuk kemi punë bashkë!
Qytetari – Po e kupton, që ti më ke bërë një dëm mua tani?
Administratori – Çfarë flet ore, çfarë flet?
Qytetari – Më ke bërë një dëm ti mua…
Administratori – Ore, a e ke në terezi…?
Qytetari – Po e kam shumë në terezi, se unë jam “out” tani. Jam në ajër tani, as lartë as poshtë.
Administratori – Na zu belaja me shqiptarët! Ik dhe mos më acaro mua tani! Qërohu! Mos më shkel fare këtu! Mos të shoh më këtu!
Qytetari – Kur erdha, që të dhashë lekët unë, si shkela?
Administratori – Po ik ore tani, na lër rehat! Mos më acaro më! Ik tani!
Denoncuesi iu drejtua disa klinikave dentare për të vërtetuar se proteza nuk është funskionale për të.
Stomatologia 1 – Pjesën sipër duhet ta heqësh, ta eliminosh sepse të del jashtë përdorimit fare nofulla se e ke shumë të madhe. Poshtë pastaj mund të bëhet edhe nga e para. E ke shumë keq! Pjesa sipër s’të bën fare!
Stomatologu 2 – Është shumë e trashë ajo proteza lart.
Qytetari – Atë një… pjesa poshtë, çfarë mund t’i bëjmë? A rregullohet?
Stomatologu 2 –Jo, jo, jo, jo…
Qytetari – Nuk bëhet ë?
Stomatologu 2 – Bëhet nga fillimi!
Stomatologia 3 – Nuk bëhet ajo! Mund ta kishte nxjerrë dhe më mirë! O jo… ajo…ashtu s’ke ça t’i riparosh. Ajo duhet me u heq krejt shtresa e porcelanit!
Stomatologia 4 – Ato duhen ribërë! Janë bërë keq! Ajo proteza zhytet brenda 2 javëve dhe zhytet në lartësi, jo të futet nga brenda. Duhet të shkosh atje ku i ke bërë të t’i ribëjnë!
Stomatologia 5 – Dëgjo: Problemi më i madh për mua si mjeke, është mbyllja e dhëmbëve. Nuk mbyllen si duhet! S’ka mundësi riparimi më. Këto duhen hequr nga goja jote dhe ribërë nga fillimi, sidomos poshtë!
Kastriot Frangu i pyeti stomatologët se sa kushtojnë protezat në klinikat e tyre.
Qytetari – Dhe sa më kushton, që ta rregulloj?
Stomatologu 1 – Pjesa sipër (proteza lart), bëje…350-çe… Është elastike.
Qytetari – Sa më shkon e gjithë goja?
Stomatologu 2 – Shkon shumë këtu tek ne!
Stomatologia 3 – Është goxha e shtrenjtë! Unë e bëj 400 mijë lekë këtë çfarë ke bërë ti këtu (protezën poshtë).
Gazetarja e emisionit “Stop” dhe denoncuesi iu drejtuan Urdhrit të Stomatologut Shqiptar për të pyetur sesi duhet proceduar në këtë rast.
Përgjegjësi i zyrës juridike së USSH, Alban Peca u shpreh: “Kur ka një mjekim të pakujdesshëm apo sjellje të padenjë nga stomatologu, atëherë pacientit i lind e drejta që t’i drejtohet Urdhrit të Stomatologut e të bëjë ankesë pranë Këshillit Rajonal”.
Pas ankesës së kryer nga pacienti i dëmtuar, sekretarja e Këshillit Rajonal, Orjeta Musabelli tha se u kontaktua klinika dentare “Dental Turk” dhe iu kërkua dokumentacioni i Kastriot Frangut për të nisur procedurat.
“Do fillojmë procedurat për mbledhjen e kryesisë së Këshillit Rajonal. Do të dëgjohen të dyja palët, do të vendoset nëse kjo çështje do të shkojë për gjykim profesional në komisionin disiplinor ose jo. Kjo është procedura që bëhet brenda 14 ditëve”, shpjegoi Musabelliu.
Kryesia e Këshillit Rajonal të Urdhrit të Stomatologut u mblodh, bëri ballafaqimin e të dyja palëve dhe vendosi që çështja të shkojë në Komisionin Disiplinor dhe deri sa të hetohet nga kjo e fundit, denoncuesi nuk duhet t’i drejtohet asnjë klinike dentare për të rregulluar protezat.
Pas ekspertimit rezultoi se ankesat e pacientit qëndrojnë, pasi nuk është ndjekur një plan trajtimi korrekt për rastin klinik nga ana e stomatologes së klinikës dentare “Dental Turk”. Për këtë arsye Komisioni Disiplinor i dha masë disiplinore “vërejtje e rëndë”, por askund nuk përmendet se cili do të jetë fati i pacientit. Pra, Kastriot Frangut nuk iu ofrua as dëmshpërblim, as ribërje e protezave dhe as kthim i parave të shpenzuara më kot.
Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i sugjeroi denoncuesit që me këtë vendim t’i drejtohet gjykatës, pasi do të dëmshpërblehet.