Parlamenti i qytetarëve dhe patat e pjekura të Bashës.
Parlamenti i Shqipërisë hapi dyert për publikun dhe në intervistat e Renaldos, qytetarët shprehen, se ndjehen keq kur shohin debatet e sherret denigruese nga ana e deputetëve cdo të enjte.Kreu i opozitës Lulzim Basha, duke folur për buxhetin e vitit 2018, tha, se me këtë buxhet po u shërbehet oligarkëve pata të pjekura në tepsi.
Ligji i xhunglës për vendqëndrimet e taksive të licensuara.
Emisioni “STOP” sjell të përmbledhura disa nga episodet e përplasjes fizike mes shoferëve të taksive të licensuar në kryeqytet. Disa prej tyre iu drejtuan redaksisë sonë për të denoncuar ligjin e të fortit që zbatohet në rrugë. Edhe pse janë me leje qëndrimi në çdo vend, ku ka sinjalistikë për taksi, ata nuk lejohen nga kolegët që kanë zaptuar vende të caktuara.
Me kamera të fshehtë provojmë tre raste që një taksist nuk lejohet të qëndrojë në vende për të cilat ka paguar. Por kur u afrohet gazetari, shoferët e taksive thonë se nuk ka asnjë problem.
Nga ana tjetër, Anila Lleshi, përgjegjëse sektori pranë “Tirana Parking”, shpjegon se nuk ka vende të personalizuara për taksitë me licensë.
Më datë 07.10.2016 Këshilli Bashkiak ka bërë disa ndryshime në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në Tiranë, ku në Nenin numër 59, pika 3 thuhet: “Të qëndrojnë në të gjitha vendet e rezervuara për shërbimin publik taksi, sipas detajimit të rrugëve me Urdhër Kryetari, të cilat janë pajisur me sinjalistikën përkatëse, duke ju nënshtruar tarifave të përcaktuara me Vendim të Këshillit Bashkiak sipas zonimit.”
Por mesa duket janë të paktë ata që e respektojnë këtë ligj, pasi kryesisht taksistët kanë “zaptuar” vende parkimi që sigurojnë më tepër klientelë. Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shfaq tre “pronarë” vendparkimesh për taksi.
RAST 1
Taksisti – Lëvize pak makinën, mo na bëj ashtu, a të lutem! Na lërë të punojmë, a të lutem!
Bashkëpunëtori – Pse ça ka?
Taksisti – Ik, lëviz pak! Lëviz pak, se e ke marrë licensën për në lëvizje, jo në ndalim.
Bashkëpunëtori – Licensën? Licensën e kemi për të ndenjur gjithandej, or burrë.
Taksisti – Po ik, o burrë! Nuk e ke për të ndenjur, e ke në lëvizje. Po, të lutem tani, lëviz! Lëvize, hajd! Lëviz, të lutem, shpejt!
RAST 2
Taksisti – A ta parkoj një çikë?
Bashkëpunëtori – Pse të prish punë me nejt unë këtu?
Taksisti – Ëëë?
Bashkëpunëtori – Të prish punë me nejt unë?
Taksisti – Po, më prish pra!
Bashkëpunëtori – Pse të prish punë?
Taksisti – Po kam venin o vëlla.
Bashkëpunëtori – Po pse unë s’kam vend?
Taksisti – Ëë? Ça është?
Bashkëpunëtori – Unë s’kam vend?
Taksisti – Shko pyet kompaninë se ku e ke vendin ti!
Bashkëpunëtori – Po unë s’jam në të zezë, o burrë.
Taksisti – Po s’më rruhet mu ça je ti mo shoku. Hap venin!
Bashkëpunëtori – Po mirë mo dakord, por s’po të flas ashtu unë, mo vëlla. Unë jam me të gjitha, o vëlla.
Taksisti – S’po të pyes…
Bashkëpunëtori – Me licensa, me taksa…
Taksisti – Nuk jam polic unë, o shok.
Bashkëpunëtori – Po mirë mo, dakord! Vendi është për të gjithë.
RASTI 3
Taksisti – Po ik o, i ri je ti? Kur ke dalë?
Bashkëpunëtori – Po ç’lidhje ka ajo, me i ri.
Taksisti – Më tregon tani vend taksie, po ik tani. Nuk ia vlen. S’dua të bëj muhabete shumë.
Bashkëpunëtori – Po jo mo, se s’po bëj muhabet unë.
Taksisti – Po ça, erdhe ti tani dhe do na zësh vendin këtu?
Bashkëpunëtori – Për sa jemi me licensa, taksa…
Taksisti – Po lëre tani, licensa, taksa, thashë unë, qenke i ri ti. Ik tani, se nuk ia vlen të bëjmë muhabete shumë.
Bashkëpunëtori – S’ka lidhje me “je i ri”.
Taksisti – O shoku, ik tani! I di rregullat ti apo sot ke dalë taksi?
Bashkëpunëtori – Po i di mo rregullat.
Taksisti – Po ç’do të mësoj unë ty tani? Do rrish këtu ti?
Bashkëpunëtori – Pse ça ka këtu?
Taksisti – Ti do ikësh tani apo jo? Si thua? Si e ke…?
Bashkëpunëtori – Pse të iki, ça ka?
Taksisti – Po ik tani, ça ka e ça s’ka, ik tani, se nuk ja vlen të bëjmë muhabete!
Kur gazetari i emisionit “STOP” u përball me të tre taksistët, që pretendonin “pronësinë” e vendit të qëndrimit, dy prej tyre e mohuan këtë fakt, ndërsa tjetri tha se nuk ishte në dijeni të ligjit “të ri” që ka nxjerrë Bashkia e Tiranës.
“Si përherë, është media prezente, s’ka më konflikt. Kjo është situata, Tiranë, Nëntor 2017, si në 97-ën!”, u shpreh gazetari.
Ai iu drejtua “Tirana Parking”, ku komunikoi me përgjegjësen e sektorit, Anila Lleshin, lidhur me denoncimin e taksistëve për degradimin e situatës së vendparkimeve.
“Vendet e taksive nuk janë të personalizuara! Një subjekt që ka një licencë për taksi nuk mund të shkojë dhe të zaptojë vendin e parkimit, që ky është vendi im. Ai mund të parkojë në çdo vend që është i pajisur me sinjalistikë taksi.”
Selitë, rruga ku banorët duhet të ecin në njëshkolonë…?!
Rruga “Kujtim Spahivogli” në zonën e Selitës është gati 2 metra e gjerë, edhe pse në projektin e bashkisë është e parashikuar 4 metra.Banorët thonë, se në rast fatkeqësish as ambulanca dhe as zjarrëfikësja nuk mund të hyjnë dot.E në fakt gazetarja e “Stop” tenton të hyjë me ambulancë në këtë rrugë, por rezulton një mision i pamundur.Administratorja e njësisë numër 5, Violeta Kila, shpjegon, se rruga në fjalë ka këtë problematikë dhe po mendohet, që të merren masa për zgjidhje, që parashikojnë ndërhyrje në shtëpitë e njërës anë të rrugës.