95 shqiptarë në të zezë, zbulohet skema me kompanitë fiktive në Itali/ 6 milionë euro evazion

95 shqiptarë në të zezë, zbulohet skema me kompanitë fiktive në Itali/ 6 milionë euro evazion

Një skemë e dyshuar mashtrimi, që kishte në qendër punësimin e paligjshëm të shoferëve, kryesisht shqiptarë, është zbuluar nga Guardia di Finanza në Chieti të Italisë.

Hetimi, i drejtuar nga Prokuroria e Republikës së Chietit, ka zbuluar një sistem të ndërtuar përmes kompanive fiktive, me qëllim uljen e kostove të punës, shmangien e taksave dhe mospagimin e kontributeve shoqërore.

Sipas autoriteteve italiane, disa kompani në zonën e Chietit përdornin skemën e “distakimit ndërkombëtar” për të sjellë dhe punësuar shoferë, kryesisht shtetas shqiptarë.

Në dokumente, shoferët rezultonin të ishin punonjës të kompanive të huaja. Por hetuesit kanë zbuluar se këto kompani ishin në fakt vetëm shoqëri guackë, pa aktivitet dhe strukturë reale. Ato shërbenin si një mbulesë për të shmangur detyrimet që do të kishin kompanitë italiane nëse do t’i punësonin drejtpërdrejt shoferët.

Në këtë mënyrë, punëtorët paguheshin më pak, ndërsa nuk deklaroheshin dhe nuk paguheshin kontributet që kërkon ligji italian.

Hetimi është zhvilluar edhe në bashkëpunim me autoritetet tatimore shqiptare, përmes mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në total janë përfshirë 18 kompani, 4 prej tyre të regjistruara jashtë Italisë, ndërsa 5 operonin në territorin e Chietit.

Shifrat e zbuluara nga hetimi janë të konsiderueshme. Guardia di Finanza ka evidentuar 95 pozicione pune të padeklaruara, ndërsa evazioni fiskal i kompanive të përfshira në zonën e Chietit llogaritet në rreth 6 milionë euro.

Po ashtu, janë zbuluar mbi 3.5 milionë euro fatura për operacione të dyshuara si fiktive, ndërsa detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore dhe kontributet llogariten në mbi 1.2 milionë euro.

Në përfundim të hetimeve, 14 persona janë referuar në Prokurori, nën dyshimet për vepra penale që lidhen me evazionin fiskal, faturat fiktive, mashtrimin ndaj shtetit, si dhe punësimin dhe ndërmjetësimin e paligjshëm të fuqisë punëtore.

Autoritetet italiane e kanë cilësuar skemën si një formë të “caporalato”-s transnacionale, ku kompanitë fiktive përdoren për të ulur kostot e punës dhe për të krijuar konkurrencë të pandershme në sektorin e transportit.

Hetimi vijon të konsiderohet një nga rastet që tregon mënyrën se si skemat e punësimit fiktiv mund të shtrihen përtej kufijve dhe të përfshijnë kompani e punëtorë nga disa shtete.

Të Fundit