Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin “Interruption 2”, ku janë sekuestruar 60 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe janë arrestuar dy persona në Fushë Krujë.
“Në operacionin e zhvilluar në Fushë Krujë, gjatë kontrollit të ushtruar në dy automjete, shërbimet e Policisë së Tiranës kanë gjetur në një prej tyre 6 thasë me lëndë narkotike ndërsa janë arrestuar dy persona të identifikuar si Kujtim Ukaj, 35 vjeç, nga Kruja dhe Abdurrahman Rizvani, 26 vjeç, nga Mati”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ata dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të organizuar për transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Kujtim Ukaj transportonte lëndën narkotike me automjetin e tij, ndërsa Abdurrahman Rizvani monitoronte rrugën dhe njoftonte për praninë e policisë.
Një tjetër person, S. D., 28 vjeç, është shpallur në kërkim si i dyshuar për bashkëpunim në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar gjithashtu dy automjete, dy celularë dhe një shumë parash ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.