“3 muaj regjim shtrati”, minatori aksidentohet në punë, firma e mbante në të zezë

Jemi ndalur në fshatin Dushaj, Bulqizë për problemin e zotit Vilson Alla, i cili tregon, se në 25 dhjetor 2023, teksa po dilte nga puna, është rrëzuar nga 8 metra lartësi dhe ka marrë dëmtime të rënda në këmbën e majtë. Pas më shumë se tre muajsh Vilsoni është në regjim shtrati. Ai rrëfen, se mori kontakt me shtetasin Përparim Koci, i cili kishte një galeri kromi dhe filloi punë në tetor 2023 si minator në kompaninë “Brunes krom shpk”. Pas aksidentit, Vilsoni nuk ka marrë as pagesën e raportit mjeksor dhe aktualisht jeton me 130 mijë lekë të vjetra, që është pensioni i nënës, me të cilin mbajnë frymën 8 pjesëtarë të familjes. E teksa ishte ende në Spitalin e Traumës, Prokuroria e Dibrës ka kërkuar mosfillim procedimi penal, duke mos e klasifikuar aksident në punë.Vëllai i Vilsonit, Iliri, na tregon terrenin e vështirë, ku u aksidentua Vilsoni. Por roja thotë, se jemi në perimetrin e firmës.Në një komunikim me administratorin e “Brunes Krom shpk” Përparim Koçi, ky i fundit pranon, se aksidenti ka ndodhur në orar të punës, por jashtë subjektit.Ai thotë, se për dy muaj punë, për Vilson Allën janë derdhur sigurimet.Nga ana tjetër, përgjegjësi i Agjencisë së Sigurimeve shoqërore në Bulqizë Klevis Alla, thotë, se raportet kanë shkuar në mars e po punohet, që brenda javës t’i bëhen pagesat e raporteve.Por problemi më i madh në këtë histori, është mospagesa e Siguracionit të jetës.Zëvendësdrejtoresha e Inspektoriatit të Punës, Irida Qosja, tha, se në përfundim të hetimit, rasti është klasifikuar aksident në punë, pasi janë gjetur shkelje me pagesat e sigurimeve dhe terrenin e vështirë pa sinjalistikë për punë, që është bërë shkak i aksidentit.

Të Fundit