Një fshat në veriperëndim të Spanjës do t’ju paguajë për të jetuar aty. Sipas raportimeve në mediat spanjolle, kushdo që zhvendoset për të jetuar në fshatin Ponga do të marrë 2970 euro.
Kjo është pjesë e një plani për të forcuar ekonominë lokale, njësoj si skemat që janë nisur nga shumë qytete dhe fshatra në Itali.
Për më tepër, përtej kësaj pagese, Ponga do të shtojë edhe 2970 euro të tjera për çdo fëmijë të lindur në fshat. Kështu, Ponga shpreson t’i japë një jetë të re fshatit i cili aktualisht ka rreth 600 banorë.
Të interesuarit do të zbulojnë se Ponga ka shumë për të ofruar: Përtej motit me diell dhe të rehatshëm, fshati është i rrethuar nga një rezervat natyror i përhapur i biosferës i klasifikuar nga UNESCO.
Rezerva ndodhet rreth maleve Kantabriane dhe u ofron udhëtarëve shtigje ecjeje midis pyjeve të gjelbra dhe luleve të egra unike.
Për më tepër, zona e afërt e Asturias është e njohur për brigjet e saj të egra, luginat dhe malet e saj. Gjithashtu, adhuruesit e historisë dhe kulturës do ta shijojnë vendin falë shumë kishave antike.
Për të shijuar ofertën, duhet të jetoni në Ponga për të paktën pesë vjet. Nëse kjo kërkesë është e tepërt për ju, mund të përpiqeni të përmbushni dëshirën tuaj të zhvendosjes në vende të tjera që ofrojnë plane të ngjashme.
Për shembull, fshati Rubia në Galacia në veriperëndim të Spanjës njoftoi se do të paguajë 150 euro në muaj për ata që pranojnë të jetojnë atje. Ky plan është menduar për familjet me fëmijë në përpjekje për të rritur numrin e fëmijëve në shkollat lokale.
Në fund të vitit të kaluar, një projekt i ngjashëm u nis në Presicce të rajonit juglindor të Pulias në Itali. Projekti parashikonte se të interesuarit do të paguheshin 28 mijë euro nëse e përdornin shumën për të blerë një pronë që ka nevojë për rinovim.
Plani ishte menduar për personat mbi 40 vjeç të cilët u zotuan të shpërngulen në zonë brenda 90 ditëve nga miratimi dhe që filluan një biznes në fshat ose punonin në zonë.