200 mijë turistë/ Kalaja e Gjirokastrës monumenti më i vizituar në vend

Kalaja e Gjirokastrës është destinacioni i trashëgimisë kulturore më i vizituar nga turistët përgjatë këtij viti në vendin tonë. Ditën e mërkurë u regjistrua turisti i 200 mijtë që viziton kalanë e Argjirosë prej fillimit të vitit, ndërkohë që numri mesatar i vizitorëve ditor është rreth 1800 turistë.

“Unë jam nga Belgjika, është hera e parë që vij në Shqipëri, është shumë e bukur, është dita e dytë e vizitës këtu dhe jemi të surprizuar nga natyra e bukur, gjithashtu edhe kjo kështjellë dhe e rekomandoj që duhet vizituar,” – u shpreh një turist.

“Vij nga Çekia dhe e planifikuam që t’i kalonim pushimet këtu dhe po vizitojmë arkitekturën e veçantë të këtij qyteti, që është me të vërtetë një qytet i mrekullueshëm së bashku me këtë kështjellë,” – tha një tjetër

“Edhe pse është fillimi i vjeshtës nuk ka munguar vizitueshmëria e lartë në kala, por edhe te Muzeu Historik i qytetit ka vijueshmëri të lartë, të favorizuar nga koha, por tani është edhe muaji që kemi një fluks të lartë të grupeve të vizitorëve, jemi të kënaqur,” – tregoi ciceronia Albana Ismaili.

“Kalaja e Gjirokastrës është një ndër monumentet më të mirëmbajtura, në të gjithë Shqipërinë, një monument që sigurisht ka vlera historike mjaft të vlefshme për historinë e qytetërimit dhe të Shqipërisë, por do të thosha që ajo që i tërheq më shumë turistët që vijnë në Gjirokastër është edhe sepse kalaja e Gjirokastrës është ndër të vetmit monumente që është edhe e mbrojtur nga UNESCO dhe gjithashtu është ndër monumentet më të reklamuara në vendet e tjera,” – shpjegoi guida turistike, Monika Mehneti.

Strukturat e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër edhe në këtë periudhë vjeshte po ndërhyjnë për mirëmbajtjen e kështjellës dhe mirëorientimin e turistëve.

“Nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore gjatë gjithë kësaj kohe janë marrë të gjitha masat për mirëmbajtjen e këtij monumenti,  për orientimin e vizitorëve, gjithashtu edhe për rritjen e elementëve të sigurisë,” – u shpreh drejtori i DRTK, Gjirokastër, Ardis Duka.

Kalaja e Gjirokastrës është një ndër monumentet historike dhe me vlera të trashëgimisë kulturore, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për tregun turistik ndërkombëtar.

Të Fundit